“Do të duhet zemër, guxim dhe forcë”. Nicolò Barella, sulmuesi i Interit, e pret me entuziazëm gjysmëfinalen e sotme të Champions League, euro-derbin e parë kundër Milanit. “Duhet të kuptoni se është një ndeshje futbolli dhe për këtë arsye gjithçka mund të ndodhë.
Shumë faktorë të ndryshëm mund të jenë vendimtarë. E gjithë bota do ta ndjekë këtë ndeshje, të gjithë do të jemi të lumtur të jemi në fushë në atë moment”. Në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale, mesfushori zikaltër ka folur me mikrofonat e UEFA-s.
Pas dy golave të shënuar ndaj Benfica në çerekfinale, kushedi nëse Barella do të jetë vendimtar në zonën e portës edhe kundër Milanit: “Përpiqem gjithmonë të dal para portës kundërshtare, duhet edhe pak instinkt.
Kundër Benfica shënova dy gola me shumë vlerë, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri. Por mbi të gjitha ato ishin të rëndësishëm për qëllimin tonë, ndihmuan ekipin, kjo është gjëja kryesore”.
Një moment kyç në rrugëtimin europian të zikaltërve ishte ndeshja e dytë e 1/8 finale kundër Portos: “Një ballafaqim për zemrat e forta. Ne kemi treguar se shpirti i ekipit është shumë i fortë dhe se kemi vullnetin për të bërë diçka të jashtëzakonshme së bashku.
Dalja në fushë me një grup lojtarësh që të gjithë kanë të njëjtin synim; ky është çelësi për të arritur objektivat, që nuk i kishim imagjinuar kurrë se mund t’i arrinim në fillim të sezonit. Interi nuk kishte arritur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve prej disa vitesh, tani duhet një shpirt i fortë ekipor për ta kapërcyer këtë limit”.
Interi tani po ecën fuqishëm në Serie A, por për periudha të mëdha të sezonit, zikaltrit kanë udhëtuar me dy shpejtësi: “Interi ka pasur një sezon të vështirë dhe pak të çuditshëm, me të gjitha uljet dhe ngritjet. Më vjen mirë që kam ende pak energji për këtë pjesë të fundit të sezonit.
Kemi punuar më mirë si skuadër në Ligën e Kampionëve sesa në Serie A, ndoshta vetëm për ndjesitë që merr me një atmosferë të caktuar. Të dëgjosh atë muzikë të jep një shtytje shtesë. Ka ndeshje në të cilat pa vetëdije e vendosni veten në linjë dhe gjeni energjinë e duhur.
Kjo është Liga e Kampionëve. Aq më tepër kur luan në ‘San Siro’. Na frymëzon viti i tripletës. Është bukur të shohësh fotot e varura në ‘Appiano’, apo edhe thjesht të dëgjosh historitë se kush ishte atje në atë kohë.
Stankoviç, frymëzimi im? Ai bëri historinë e Interit, do të doja të shënoja gola të pabesueshëm si ai. E kam studiuar mënyrën e tij të lojës, i detyrohem shumë”.


