KH Trepça është fituese e Kupës së Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve.
Mitrovicasit mposhtën 39:40 Besa Famgas në finale. Ishte një ndeshje tejet dramatike dhe shumë e barabartë deri në fund, ndeshje kjo që përfundoi me penallti.
Në fakt, skuadra e Trepçës gjatë këtij edicioni ka pasur paraqitje të mrekullueshme, duke shkëlqyer edhe në ndeshjet me skuadrat e mëdha, madje duke u përballur edhe me sulme fizike, siç ishte ai në Vushtrri, ku hendbollistët u sulmuan fizikisht nga kundërshtaret e tyre.
Njëri nga hendbollistët e Trepçës që u sulmua në atë ndeshje ishte edhe ai tunizian, Yassine Henahem, i cili fatmirësisht shpëtoi pa lëndime të mëdha.
Ai tashmë është shumë i lumtur që skuadra e mori veten nga ajo ndeshje dhe e fitoi trofeun e Kupës së Kosovës, duke e cilësua si sukses historik, suksesin e arritur mbrëmë.
“Ishte vërtet një sukses historik, ishte një lojë e vështirë me shumë stres, por faleminderit Zotit që në fund e dërguam kupën në ‘Miantori’, në Mitrovicë“, tha fillimisht ai për ‘GazetaBlic Sport.

“Pas atij problemi që na ndodhi në Vushtrri, ekipi u bashkua shumë më mirë, u bëmë më të fortë, pamë që të gjithë në ekip dhe këtu në qytet na mbështesin neve. Poashtu, të gjithë shokët e skuadrës na dhanë mbështetje dhe përkrahje“, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


