Sporti

Sulmuesi ukrainas i Dukagjinit, Khomutov: Ndihem shumë mirë, më pëlqen Kosova dhe tradita juaj – duam të fitojmë nesër ndaj Gjilanit

05/02/2023 18:34
nga:L J

Skuadra e Dukagjinit nesër do të ballafaqohet me Gjilanin në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll.

Një nga lojtarët më në formë momentalisht është futbollisti i Dukagjinit, Khomutov, i cili u shpall edhe futbollisti më i mirë i javës së kaluar.

Sulmuesi i Dukagjinit, Vladyslav Khomutov shprehet mjaft i lumtur me formën e tij, teksa thotë se po ndihet perfekt në Kosovë.

“Ndihem mirë, që nga vizita e parë në Dukagjin më kanë përkrahur dhe i jam mirënjohës lojtarëve dhe klubit për këtë, ishte mirë që mora çmimin si lojtari më i mirë i javës, nuk do ndalemi me kaq, do vazhdojmë të punojmë”, tha fillimisht Vladyslav Khomutov për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai thotë se i pëlqen Kosova dhe njerëzit e tradita e vendit tonë.

“Ndihem rehat këtu, njerëzit këtu janë të mirë, të gjithë përpiqen të më ndihmojnë, nëse kam ndonjë problem. Kosova është një vend i mirë me traditat dhe zakonet e veta”, vazhdoi ai.

Në fund, ai tha se duan të fitojnë ndaj Gjilanit nesër.

“Po, nesër është një ndeshje e rëndësishme për ne, ashtu si ndeshjet e tjera, ne duam të fitojmë. Ne kemi një qëllim dhe do të bëjmë çmos për ta arritur atë”, përfundoi ai.

Ndeshja mes Gjilanit dhe Dukagjinit zhvillohet nga ora 15:00.

/GazetaBlic Sport