Sporti

Drejtori sportiv i Fushë Kosovës, Bujar Ismajli i bindur në inkuadrimin e skuadrës në Superligë: Ulpiana vetëm sa po e vonon festën tonë

04/30/2023 11:14
nga:E K

Fushë Kosova është skuadra e Ligës së Parë që po merr vëmendje të madhe me paraqitjet e mira të këtij edicioni në grupin B të Ligës së Parë të Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga trajneri, Burim Shala është shumë afër promovimit në kategorinë elitare të futbollit kosovar, Superligën e Kosovës, ku pas 24 xhirove kryeson tabelën me 55 pikë të grumbulluara, 6 më shumë se vendi i dytë Ulpiana që zë vendin e dytë me 49 pikë.

Drejtori sportiv i Fushë Kosovës, Bujar Ismajli ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ ku ka përshkruar sezonin që po kalon ekipi duke shprehur mirënjohjen e tij për trajnerin, Burim Shala për punën e mirë që sipas tij po bënë ai.

“Sezonin e Fushë Kosovës e përshkruaj si një sezon shumë të mirë me një organizim të mirë, si kryesia e klubit ‘Pampurav’ që gjithmonë na ka qëndruar prapa. Po ashtu, trajneri Burim Shala ka qenë i rëndësishëm për ekipin tonë, duke e ditur që jemi inkuadruar nga Liga e Dytë në Ligën e Parë, ku për gjatë nëntë ndeshjeve ishim të rrezikuar edhe me rënie nga liga, por pas zyrtarizimit të trajnerit Burim Shala filloj ringjallja e skuadrës ku në fund ishim në pozitën e 3’të. Duke besuar në trajnerin Shala dhe në lojtarët tanë, të cilët nuk kursyen asgjë nga vetja jemi shumë pranë realizimit të qëllimit të rikthimit pas 10 vitesh në Superligë. Kampionati ishte shumë i vështirë, por e kemi arritur këtu falë kryesisë së klubit dhe stafit të tij”, tha fillimisht Ismajli.

Ai tha se nëse Fushë Kosova inkuadrohet në Superligë do të ketë synim që të siguroj mbijetesën, por duke shpresuar gjithashtu edhe për pozitat më të larta se aq.

“Synimet e Fushë Kosovës janë normalisht për sigurimin e mbijetesës, por pse jo edhe për të qenë në krye të tabelës. Me një organizim të mirë siç kemi, do të jetë më e lehtë për ne“, vazhdoi ai për ‘GazetaBlic Sport’.

Drejtori sportiv i Fushë Kosovës poashtu foli edhe për transferime të reja ku tha se do të ketë afrime të lojtarëve të rinj, por mohoi që do ketë largime nga skuadra.

“Po, do të kemi transferime të lojtarëve të rinj, por largime nuk do ketë“, shtoi ai.

“Faleminderit çdo lojtari që ka bartur barrën në këtë edicion. Nuk ndihemi të rrezikuar nga Ulpiana ata thjeshtë po e vonojnë festën tonë“, përfundoi Ismajli intervistën për ‘GazetaBlic Sport‘.