Lajme

Programi politik i LDK-së gati në shtator, Abdixhiku: Kodimin do ta bëjmë lëndë obligative

04/27/2023 23:52
nga:G B

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se programi politik i partisë së tij do të jetë gati më së largu në shtator të këtij viti. Ai ka thënë se në të po punojnë 29 grupe ekspertësh.

Abdixhiku ka deklaruar në emisioni “DPT te Fidan Jupolli” në T7 se ky program në fokus ka shëndetësinë, arsimin dhe kujdesin e shtetit. Gjithashtu, ai ka thënë se kodimi i programeve kompjuterike do të bëhet lëndë obligative në shkollat vendore.

“Jo më larg se në shtator të këtij viti, do të dalim me programin politik më të detajuar që e ka pasur Kosova ndonjëherë. Tash e një vit, 29 grupe brenda LDK-së me ekspertë të ndryshëm, kanë shkruar dhe kanë punuar”, ka thënë ai në një intervistë për televizionin.

Ai ka thënë se këtij programi po i jepet “dora e fundit”.

“Unë jam tani në angazhim me sektorë të ndryshëm për ta përmirësuar dhe për t’ia dhënë dorën finale këtij programi. Programi do të jetë udhërrëfyes për atë se çfarë do të bëjmë ne për katër vite dhe më gjyko pastaj për atë që ta jap në tavolinë”, ka thënë Abdixhiku.

“Ka ide të mirë, konkrete dhe përparimtare. Ne do ta bëjmë kthesën e madhe, që prej diskutimeve të thata që i kemi sot, të flasim për projekte konkrete. Kemi paraparë që kodimin ta bëjmë lëndë obligative në Kosovë, prej fillimit të tyre (nxënësve). Na duhen mësues që t’i trajnojmë, edhe pse mund të shkojnë në privat. Të gjitha shkollat do t’i bëjmë me lëndë koduese”, ka deklaruar kryetari i LDK-së.