Analisti politik, Gazmir Raci, ka folur për takimin e 2 majit në Bruksel, që do të mbahet në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.
I dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak ka thënë se me 2 maj nis procesi i themelimit të Asociacionit, duke shtuar se ai s’do të jetë jashtë modeleve evropiane.
Raci për Gazeta Blic thotë se nuk pret që të ketë një marrëveshje përfundimtare për Asociacionin me këtë datë, por palët do të pajtohen që të plotësohet e ndryshohet ai draft me ndihmën e MAPL-së.
“Me 2 maj nuk pres marrëveshje përfundimtare për Asociacionin. Në këtë takim pres që palët të pajtohen që ekipi menaxhues të plotësohet e ndryshohet dhe me ndihmën e MAPL të fillojë punën për draftin e parë”, thotë ai.
Sipas analistit, më pas drafti do të diskutohet në takimet e tjera të nivelit të lartë dhe duhet ta marrë dhe miratimin e Kushtetueses.
“Ky draft pastaj do të diskutohet në takimet e reja të nivelit të lartë dhe duhet të marrë edhe miratimin e Gjykatës Kushtetuese, kështu thuhet edhe në pikën 10 të marrëveshjes së fundit për zbatimin e gjitha marrëveshjet e kaluara dhe njëra nga ato e ka definuar (2015) se draft statuti do të shqyrtohet nen për nen nga Gjykata Kushtetuese”, thekson Raci për Gazeta Blic.
Ai shton se Kosova dhe Serbia duhet t’i lënë anash retorikat politike dhe të angazhohen në zbatim të planit evropian.
“Kosova dhe Serbia duhet të lënë anash retorikat politike dhe të angazhohen për zbatim të planit franko-gjerman, përndryshe rruga drejt BE do të na vonohet shumë”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/


