Lajme

Statovci i reagon Hotit: Fitimi i KEK-ut s’ka lidhje me tarifat, po bëhen investime që nuk janë bërë që 40 vite

04/27/2023 21:18
nga:Astrit Gashi

Deputetja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë se fitimi i KEK-ut nuk ka lidhje me tarifat për konsumatorë dhe si i tillë çmimi i KEK për konsumatorët vendorë nuk ka ndryshuar asnjë cent.

Hoti ka pyetur mazhorancën se përse është e nevojshme rritja tarifave, nëse ka fitim në KEK.

Për këtë, Statovci ka thënë se KEK duke deponuar mbi 250 GWh në Shqipëri i ka kursyer qytetarëve të Kosovës rreth 50 milionë euro.

“E ka pas merak gjithmonë të bëjë të kundërtën e asaj që thotë, sot na paska ‘nderuar’ me iluminim nga kotësia ekonomike, ish ministri e ish kryeministri Hoti. Fitimi i KEK nuk ka lidhje me tarifat. Çmimi i KEK për konsumatorët vendorë nuk ka ndryshuar asnjë cent. Fitimi vjen nga eksporti i energjisë dhe ulja e shpenzimeve. Për më tepër, KEK duke deponuar mbi 250 GWh në Shqipëri, të cilat pastaj i kemi marrë gjatë dimrit, i ka kursyer qytetarëve të Kosovës rreth 50 milionë euro. Fitimin e realizuar gjatë vitit të kaluar, KEK po e shfrytëzon për të bërë investime që nuk janë bërë që 40 vite e që rrisin jetëgjatësinë e termocentraleve dhe sigurinë e furnizimit”, ka shkruar Statovci.