Lajme

Vokrri: Koordinatorja e grupit për hartimin e statutit të AKS-së, më shumë i përgjigjet Vuçiqit sesa Kosovës

04/27/2023 18:28
nga:G B

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se i kanë bërë ftesë për takim zyrtar grupit punues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, por që i njëjti s’i është përgjigjur ftesës.

Sipas Vokrrit, ky grup punues i përgjigjet ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, por të njëjtën gjë s’po e bën.

“Është e qartë që si qeveri s’jemi shumë entuziastë ta bëjmë Asociacionin. Ne do ta ftojmë këtë grup punues sërish. Ndoshta jo para takimit të 2 majit, pra ndoshta do të vonohet përtej atij takimi dhe ta shohim përgjigjen pastaj”, tha Vokrri në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se koordinatorja e këtij trupi punues ka më shumë disponim që t’i përgjigjet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, sesa institucioneve të Kosovës.

“Por, nëse kompetencë e ministrit të MAPL-së është emërimi dhe ndërrimi i këtyre anëtarëve do ta shqyrtojmë këtë. Është një trup që është themeluar nga një institucion i qeverisë dhe duhet t’i përgjigjet qeverisë. Dhe në rastin e draftimit të një statuti eventual për themelimin eventual të një asociacioni, së pari duhet të kalojë kah qeveria që të bëhet miratimi i atij drafti dhe të vazhdohet tutje”, tha Vokrri.