Sigal Prishtina dhe Trepça do të përballen të dielën në ndeshjen e 5-të gjysmëfinale.
Fituesi i këtij takimi do të kualifikohet në finalen e madhe të Superligës së Kosovës në basketboll.
Deri më tash, dy ndeshje i kanë fituar kryeqytetasit, kurse dy fitore kanë siguruar ‘Minatorët’ nga Mitrovica.
Ish basketbollisti i njohur kosovar, Ismet Ferati tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se pret një ndeshje të ekuilibruar, me të dy skuadrat që kanë pothuajse përbërje përfarësisht të njëjtë.
Ferati tha poashtu se trajneri që do të përgatisë më mirë skuadrën për këtë takim do ta fitojë edhe ‘luftën’ e gjatë prej 5 ndeshjeve të zhvilluara.
“Realisht mendoj se shanset janë 50/50 edhe pse Prishtina ka përparësinë si vendas, respektivisht të tifozëve. Nëse i analizojmë si ekipe, shohim se përbërjet e skuadrave janë përafërsisht të njëjta, forma e lojtarëve kyç është afërsisht e njëjtë, kështu që si fitues do të shihet trajneri që do ta përgatisë më mirë ekipin taktikisht dhe mentalisht, atje ku do të jetë rival i Pejës në finale“, tha fillimisht Ferati.

Më pas, ai u pyet edhe për skuadrën e Pejës dhe poashtu se cilën nga dy skuadrat e sheh në finalen e madhe, ku tha se cilado skuadër që shkon në finale, qoftë Sigal Prishtina apo Trepça, do ta ketë shumë të vështirë ndaj pejanëve.
“Personalisht dy muaj më parë nuk e pashë Pejën në finale për shkak të formës jo të mirë, ndërrimit të trajnerit, problemeve në klub, por ardhja e trajnerit nga Izraeli ka ndryshuar tërësisht sezonin e Pejës dhe sot shohim një Pejë që nuk dorëzohet kurrë dhe shumë e disiplinuar në lojë. Kushdo nga gjysmëfinalja tjetër që do të shkojë në finale do ta ketë shumë të vështirë me Pejën, sepse momentumi i formës, motivimit dhe përgatitjes taktike është në anën e Pejës“, përfundoi Ferati.
/GazetaBlic Sport/


