Sporti

Aktori i njohur kosovar, Fisnik Ademi: Arsenali do të jetë kampion në Premier League, dalim me 3 pikë nga ndeshja me Cityn

04/26/2023 17:14
nga:Mergim Rreci

Manchester City do të presë ndeshjen më të madhe të sezonit 2022/23 të Premier League, pasi do ballafaqohen me rivalët për titull, Arsenal sonte në mbrëmje.

Të dy skuadrat kanë zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm deri më tash dhe pikërisht sonte do të vendoset pothuajse gjithçka në garën për titullin kampion.

Fituesi i këtij takimi do të bëhet favorit për të ngritur trofeun muajin e ardhshëm. Një barazim do të favorizonte gjithashtu Man City pasi ndeshjet e fundit kanë parë që Arsenali të humbasë terren në garën për titull.

“Topçinjtë” zhvilluan një sezon fantastik deri më tash, duke kaluar të gjitha pritshmëritë, por që disi në xhirot e fundit nuk e kishin forcën e nevojshme për të siguruar rezultatet e kërkuara.

Skuadra e Arsenalit ka shumë tifozë edhe në Kosovë, në mesin e tyre edhe aktori i mirënjohur, Fisnik Ademi, i cili është në përkrahje të kësaj skuadre që nga vitet e 90-ta.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai tregoi në detaje për lidhjen e tij të madhe me këtë skuadër dhe me futbollin në përgjithësi, kurse komentoi poashtu ndeshjen e sontme shumë të rëndësishme.

“Futbollin e përcjelli që prej moshës 6-7 vjeçare. Jam tifoz i Arsenalit prej kohës se viteve të 90’ta. Kam kujtime shumë të mira dhe kam përcjell nga afër shumë ndeshje në Londër”, tha fillimisht ai për ‘GazetaBlic Sport’.

“Ndeshja e sotme në Etihad është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat. Është e vërtetë që Arsenali nuk ka fituar në Etihad që nga viti 2015, por besoj se sonte ata kanë një arsye dhe motiv shumë të madh për të dalur nga ndeshja me 3 pikë dhe për të treguar se e meriton të jetë kampion. Arsenali, besoj vërtet që këtë vit do të jetë kampion. Skuadra ka treguar në të gjithë kampionatin që është e ‘pjekur’ për të triumfuar. Edhe pse me një ekip shumë të ri, ka rezultate kampioni. Ndërkohë, besoj se City është nën presion, sepse është vendas dhe duhet të ndal një ekip të ri si Arsenali”, vazhdoi ai.

Më pas, Ademi tregoi edhe momentin më të mirë që e ka përjetuar duke qenë tifoz i kësaj skuadre, ku tha se edicioni 2003/2004, atëherë kur Arsenali e fitoi titullin kampion, mbetet moment i paharrueshëm dhe moment krenarie për të.

“Momenti më i mirë dhe ai që më bëri krenar si tifoz i Arsenalit ishte sezoni 2003-2004, atëherë kur përfunduam të gjithë sezonin pa humbje. Dhe sigurisht që ne ishim kampionë të Premier League”, përfundoi Ademi.

Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në ndeshjen e sontme, me siguri të plotë që do të ketë spektakël për 90 minuta lojë.

/GazetaBlic Sport/