Lajme

Deputeti i VV-së: BE t’i ndalë ledhatimet ndaj Serbisë, çka do të ndodhte nëse Kosova do ta shkelte marrëveshjen?

04/25/2023 20:28
nga:G B

Pak ditë para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës që u mbajt dje.

Në këtë mënyrë ajo nuk e ka respektuar Marrëveshjen për normalizim të raporteve në mes të dyja vendeve, ku në nenin katër thuhet se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

E, se Serbia nuk dëshiron që ta zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel e më pas që u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit, e ka thënë sot edhe kryeministri Kurti.

Ky i fundit me 2 maj do të takohet në Bruksel me Vuçiqin, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes, ndërsa që Lajçak ka thënë se aty do të prezantohet draft statuti i Asociacionit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se takimi i 2 majit është mundësi që Kosova t’i adresojë shqetësimit e mos respektimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë.

May be an image of 1 person and beard

“Marrëveshje e Ohrit në vazhdimësi po shkelet nga pala serbe. Takimi i 2 majit është një shans për të adresuar shqetësimet tona ndaj mos respektimit të marrëveshjes dhe po ashtu një hap tjetër për të vazhduar me zbatimin e dakordimeve”, thotë ai.

Deputeti kërkon që BE të jetë më serioze ndaj qasjes destruktive të Serbisë dhe t’i jep fund ledhatimeve ndaj saj, teksa pyet se çka do të ndodhte po të shkelte Kosova ndonjë pikë të marrëveshjes.

“BE-ja si ndërmjetësuese duhet të jetë më serioze në qasjen ndaj palës destruktive dhe të marrin fund ledhatimet që po bëhen. Po sikur Kosova të shkelte ndonjë pikë të marrëveshjes, çka do të ndodhte? Atëherë, kjo qasje ndaj Serbisë është e pakuptimtë”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/

Ish ambasadori Arifi: Kosova e hendikepuar në takimin e 2 majit – mund të miratohet draft statuti i Asociacionit