Lajme

Ish ambasadori Arifi: Kosova e hendikepuar në takimin e 2 majit – mund të miratohet draft statuti i Asociacionit

04/25/2023 17:49
nga:G B

Me 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas ndërmjetësit Miroslav Lajçak, në këtë takim do të paraqitet draft statuti i Asociacionit.

Kryeministri Kurti ka thënë se do të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Lidhur me takimin, ish ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se diskutimi për draftin e statutit të Asociacionit nënkupton se ka nisur implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Siç kemi dëgjuar nga Lajçak me 2 maj do të bisedohet për draftin e statutit të Asociacionit, që nënkupton se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ka filluar menjëherë. Ju kujtoj se me Marrëveshjen e Brukselit, 4 ekspertë të nacionalitetit serbë janë caktuar për draftimin e marrëveshjes. Si duket kjo është përfunduar dhe në maj do t’iu prezantohet palëve”, thotë ai.

Arifi thekson se është e paqartë nëse Qeveria është e njoftuar me përmbajtjen e Asociacionit, por që nëse ka qenë, mund të miratohet po atë ditë nga të dyja palët.

“E kam të paqartë se në çfarë niveli është Qeveria e Kosovës e njoftuar me përmbajtjen e saj por nëse ka qenë e kyçur, atëherë mund të pritet që në po të njëjtën ditë edhe të miratohet nga palët”, vlerëson Arifi për Gazeta Blic.

Sipas tij, në këtë takim Kosova shkon e hendikepuar për shkak të zgjedhjeve në veri dhe që padyshim sjell pasoja në bisedime.

“Përndryshe, Kosova në këtë raund shkon e hendikepuar pasi që zgjedhjet dëshmuan se Kosova dhe Qeveria e saj e ka ndikimin zero tek komuniteti serb në veri dhe kjo padyshim sjell konsekuenca në tavolinën e bisedimeve”, potencon ai.

Ai shton se është “e pritshme që bashkësia ndërkombëtare do të kërkojë koncesione shtesë për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e komunitetit serb”./Gazeta Blic/