Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për takimin e 2 majit në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.
Ajo thotë se në këtë takim Kurti do ta shtyjë përpara një marrëveshje që është kthim mbrapa dhe krijon kushtet për Zajednicën.
“Në takimin e 2 majit, i cili është planifikuar të mbahet në Bruksel, Kryeministri Kurti do të shtyjë përpara një marrëveshje e cila në parim është kthim mbrapa, sepse nuk garanton njohjen reciproke mes dyja vendeve, me çka krijon kushtet për zbatimin e “Zajednicës”, të cilën e kundërshtonin me mjete të dhunshme sa ishin në opozitë, duke u bërë pengesë edhe për proceset tjera jetike për vendin”, thotë ajo.
Lidhur me atë se sa pret nisje të zbatimit të marrëveshjes pas këtij takimi, derisa një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani që nga nënshkrimi i saj, deputetja mendon se do të ketë refuzim nga Serbia siç ka ndodhur në të kaluarën, por që presioni i SHBA-ve dhe BE-së do t’i bëjë që ta zbatojnë atë.
“Marrë për bazë intensifikimin e angazhimit të ndërkombëtarëve, në raport me çështjen e dialogut, zbatimi i marrëveshjes do të jetë rruga e vetme për palët e përfshira. Tani, sigurisht se do të ketë refuzim nga shteti serb siç ka bërë zakonisht edhe në të kaluarën duke mos zbatuar marrëveshjet e arritura, por presioni i SHBA-së si ndërmjetësues dhe BE-së, nuk do t’i lë rrugë tjetër”, vlerëson Krasniqi për Gazeta Blic.
Çështja e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe Asociacioni janë parë edhe si kyçe për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. E, për këtë, deputetja e LDK-së thotë se do të duhej trajtuar si ♪çështje të ndara siç janë dhe jo të kushtëzohen në këtë mënyrë sikur në të kaluarën.
“Edhe në të kaluarën kemi parë situata të tilla, kur çështja e dialogut është ndërlidhur me proceset tjera të rëndësishme për vendin, për çka në esencë mendoj se është një praktikë jo e mirë, në njëfarë forme kushtëzimi në këtë mënyrë. Janë çështje të ndara dhe njësoj do duhej të ishin trajtuar”, deklaron Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/


