Një kohë për të harruar. Zlatan Ibrahimovic po bëhej gati, të dielën, për t’u rikthyer në garë pas rreth tre javësh mungesë, por sërish u dëmtua duke bërë ngrohjet.
Do të ishte rikthimi i tij në garë pas një pauze tre-javore për shkak të një problemi muskulor të marrë teksa luante për kombëtaren suedeze, përcjell GazetaBlic Sport.
Mirëpo, kur ishte duke u ngrohur, 41-vjeçari suedez ka mbetur i dëmtuar, me sa duket në pjesën e këmbës. Fillimisht ai u ul sërish në stol me fytyrë të frikësuar, por më pas çaloi nëpër dhomën e zhveshjes.
“Ai ndjeu diçka dhe u ndal. Po mendoja ta fusja në lojë, por tha se nuk ishte në dispozicion. Nuk e di në çfarë mase, por kishte diçka”, tha trajneri Stefano Pioli.
Corriere dello Sport tha të dielën se pjesa tjetër e sezonit mund të jetë në rrezik, por suedezi do t’i nënshtrohet testeve këtë të hënë.
/GazetaBlic Sport


