E diela e 23 prillit mund t’i bëjë me prijës komunalë, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin.
Qytetarët e komunave veriore mund të votojnë për kandidatin e tyre që do t’i udhëheqë me mandat të ri.
Sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, situata atje paraqitet kaotike në prag të organizimit të procesit zgjedhor.
“Strukturat paralele të sigurisë së Serbisë mund të paraqesin një skenar i cili mund të prodhojë bllokim të rrugëve, djegie të veturave përgjatë rrugëve dhe kështu do t’ju pamundësohej lëvizja e strukturave të sigurisë së Kosovës”, tha Shala.
“Serbia mund të prodhojë një situatë ku serbët do të shpallnin një formë të vetëqeverisjes me shije të rëndë substanciale. Veriu që nga viti 2021 ka dalur nga duart e institucioneve politike të Kosovës, dhe vetëm falë strukturave të sigurisë së vendit ende kjo pjesë po mbahet nën juridiksionin e Republikës së Kosovës”, theksoi ai për Klankosova.tv
Ai parashikon edhe vështirësi në betimin e kryetarëve të rinj.
“Problemi tjetër është procedural. Pasi të përmbyllet procesi zgjedhor në rast se do të kemi një kryetar shqiptar apo ndokush tjetër që nuk është në linjen politikës së Beogradit. Atëherë kur do të bëhet betimi i kryetarit, neni 57-të pika 2, potencohet se në rast se brenda 30 ditëve nuk betohet, atëherë do të kemi prapë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe me këtë procesi kthehet në pikën zero”.
Prapëseprapë, Shala vlerëson se mosmbajtja e zgjedhjeve do të ishte një tregues se Marrëveshja e Ohrit ka zero ndikim në terren.
Ndërkaq, sipas ekspertit tjetër të sigurisë Fadil Kajtazi, qëllimi kryesor i Serbisë është që në pjesën veriore të vijohet të mos funksionalizohen institucionet komunale.
“Në fakt kjo është gjendja që i konvenon Serbisë, e cila është në funksion të doktrinës së tyre për ta mbajtur të ngrirë gjendjen në pjesën veriore dhe për t’i bërë diversion konsolidimit shtetëror të Kosovës”, tha Kajtazi.
Sipas tij Serbia me çdo kusht po dëshiron ta ketë veriun si pjesë e territorit të saj.
“Skenari është aktiv, mosmarrja pjesë e Listës Serbe, dhe frikësimi i qytetarëve për të dalë në zgjedhje është skenari, i cili përmes metodave terroriste zbatohet nga strukturat e shërbimeve inteligjente serbe”.
Ai shtoi se ndikimi i Kosovës në veri është shumë i vogël.
“Ky është rreziku më i madh; kapacitetet e ndikimit politik janë zvogëluar tej mase. Mundësitë tjera të intervenimit ushtarako-policor janë të pamundura. E vetmja mënyrë për të kthyer gjendjen është diplomacia, e cila siç po shihet është jashtë orbitës”.
Për të dështimi ose shtyrja e zgjedhjeve nuk do të ndryshonte asgjë.
“Gjëja më ideale në këtë rast do të ishte një ofertë (amerikane sikur në rastin për tabela) për një afat kohor, pastaj ata të impononin zgjidhje. Kjo për momentin nuk duket në horizont, nga se diplomacia e jonë ka humbur kredibilitetin dhe nuk po duket askund”, theksoi Kajtazi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i bindur se zgjedhjet në veri do të mbahen. Ai ka theksuar se kjo pjesë ka nevojë për legjitimitet demokratik dhe funksionimin e institucioneve.
Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, kishte thënë se është skeptik për mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore. Sipas tij, nuk ka kushte që të mbahen zgjedhjet atje. Prerazi mosmbajtjen e tyre e ka kërkuar Ramush Haradinaj i AAK-së.
Por për kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, edhe shtyerja e para disa muajve ka qenë e gabueshme, lëre më mosmbajtja fare e tyre.
Procesi i parakohshëm zgjedhor në veri organizohet pasi kryetarët që kishin udhëhequr me këto komuna deri më 6 nëntor të vitit të kaluar, dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre, pas vendimit të Listës Serbe për të dalë nga të gjitha institucionet kosovare. Kjo kishte rrjedhur një ditë pas suspendimit të Nenad Gjuriq, nga pozita e drejtorit të policisë për rajonin Mitrovicës së Veriut.


