Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar sot se edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, “Prishtina ende refuzon të përmbushë obligimin e saj kryesor – formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, dhe se komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësi të veçantë për një situatë të tillë.
Petkoviq tha për RTS se Asociacioni është një kusht i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Beogradi i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta dhe është sjellë në mënyrë konstruktive dhe gjatë gjithë kohës, ndërsa nga ana tjetër, Prishtina vazhdimisht po përpiqet të pengojë dialogun dhe t’ua vështirësojë jetën serbëve në Kosovë. Kur shikon gjithçka që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, një përgjegjësi të veçantë ka komuniteti ndërkombëtar, i cili është i detyruar të bëjë presion për themelimin e Asociacionit. Asociacioni përfaqëson shtyllën kurrizore të dialogut”, nënvizoi ai.
Petkoviq tha se Serbia përmes Asociacionit të Komunave Serbe dëshiron t’i sigurojë të drejtat kolektive, individuale dhe të gjitha të drejtat e tjera, të cilat u janë garantuar serbëve në Kosovë me marrëveshje të mëparshme.
Ai përkujtoi se marrëveshja e Brukselit është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, prandaj sipas tij “është obligim ndërkombëtar për Kosovën”.
“Është vërtetë e çuditshme që ne ende po flasim për faktin se Prishtina duhet të formojë Asociacionin. Nëse shikoni retorikën në Prishtinë, mund të shihni se nuk duan ta formojnë atë. Ata flasin për faktin se ndoshta mund të formohet, por se do të jetë një lloj guaske pa përmbajtje, dhe neve na intereson vetëm ajo që është rënë dakord përmes katër marrëveshjeve për Asociacionin dhe parimet, ku thuhet qartë se çfarë struktura është, cilat janë përgjegjësitë e tij”,tha Petkoviq.
Ai tha se “sot është momenti kur duhet të turpërohen të gjithë ata që e drejtuan gishtin kah Beogradi, duke thënë se Beogradi duhet të përmbushë diçka, por nuk ushtroijnë presionin e duhur ndaj Prishtinës”.
“Gjithçka që po bën Kurti tregon qartë se ai nuk dëshiron të formojë Asociacionin, por dëshiron vetëm kriza, trazira dhe në fund të fundit dëbimin e serbëve nga Kosova”, ka theksuar Petkoviq.


