Sporti

Gazetari i Sportitalia, Daniele Najjar: Milani kualifikohet në gjysmëfinale, kjo është skuadra favorite për ta fituar Ligën e Kampionëve

04/18/2023 13:47
nga:Mergim Rreci

Emocionet e Ligës së Kampionëve rikthehen përsëri sonte.

Dy super ndeshje janë në program me fillim nga ora 21:00, atje ku do të mësohen edhe dy skuadrat e para gjysmëfinaliste.

Në Itali, Napoli dhe Milani do të përballen në stadiumin “Diego Armando Maradona”, me pritshmëritë e mëdha për një spektakël të madh si në fushë ashtu edhe në tribuna.

Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 1 me 0 në të mirë të “Rossonerëve”, por që ky rezultat lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet sonte.

Gazetari i i njohur i Sportitalia, Daniele Najjar tha për ‘GazetaBlic Sport’ se beson që Milani do të kalojë tutje, pavarësisht formës së mirë në të cilën po kalon Napoli gjatë këtij edicioni.

Najjar shtoi se “Rossonerët” dijnë të menaxhojnë shumë mirë situtata e tilla, duke u bazuar edhe tek rezultati nga ndeshja e parë dhe epërsia që kanë krijuar.

“Përtej mënyrës se si u zhvillua ndeshja e parë dhe sesi Napoli mund të konsiderohet më i fortë dhe në formë më të mirë se Milani, veçanërisht për llojin e lojës që luan prej shumë muajsh, mendoj se Milani do të shkojë në gjysmëfinale. Jo vetëm për rezultatin e ndeshjes së parë. Për më shumë se dy vjet, kuqezinjtë kanë treguar se, në momentin e vështirësisë më të madhe, dinë të bashkohen dhe të dalin me diçka shtesë. Unë pres një ndeshje të vështirë për ta sonte, por mendoj se ata gjithashtu do të jenë në gjendje të sulmojnë dhe të kalojnë tutje, ndoshta duke rrëmbyer një barazim“. tha fillimisht ai.

Më pas, ai u pyet edhe për skuadrën favorite për ta fituar këtë edicion të Ligës së Kampionëve, në veçanti se a mund të jetë një skuadër italiane që do ta fitojë atë, por që përgjigja e tij nuk ishte shumë optimiste për këtë gjë.

“Nëse do të më duhej të vë bast, nuk do ta bëja në një ekip italian, por tek Real Madridi. Është e qartë se skuadrat italiane kanë mundësi konkrete, sepse çdo gjë mund të ndodhë në një ndeshje të vetme nëse një nga ekipet tona shkon në finale, dhe klubet tona dinë të fitojnë dhe të vuajnë. Megjithatë, besoj se skuadra e Ancelottit ka përvojë të pakrahasueshme në këtë nivel dhe lojtarë që edhe kur skuadra e tyre luan keq, dinë të fitojnë ndeshjet e tyre“, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/