Deputetja e LDK-së, Hymete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti për punësime, largime të punëtorëve nga puna e kapje të institucioneve përmes Ligjit për Zyrtarët Publik.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, flet fillimisht për ankesat që janë rritur në mënyrë enorme në qeverinë Kurti, të largimit të punëtorëve nga puna në sektorin publik.
“Vitet 2021 dhe 2022 ishin shumë të larta në krahasim me vitin 2020, d.m.th, kanë qenë vetëm 424 ankesa në 2020, më pas në vitin 2021 numri shkon në 1235, ndërsa në vitin 2022 në 1253, kjo është një rritje enorme e ankesave. Këto ankesa nuk na befasojnë aspak sepse tashmë kapja e institucioneve është tentuar të bëhet edhe me Ligjin për Zyrtarët Publik, i keni parë edhe ankesat e zyrës së BE-së edhe ankesat e donatorëve që për 2 dekada kanë ndihmuar në ndërtimin e një administrate publike profesionale dhe tash gjithçka mundohet të politizohet”, thotë ajo.
Këtë deputetja e sheh tejet shqetësuese, teksa thekson se tani edhe njerëzit që punojnë në sektorin publik po i lënë vendet e punës, gjë që nuk ka ndodhur me herët dhe po largohen edhe nga vendi krejtësisht.
“Ne i dimë sepse njohim njerëz edhe nëpër institucione dhe kemi qenë vetë se si është situata, jo vetëm numri i ankesave por edhe lënia komplet e vendit të punës është jashtëzakonisht shqetësuese. Përpara s’ka ndodhur që dikush nga institucionet ta lë vendin e punës në institucione publike dhe të shkojë jashtë shtetit, është konsideruar të paktën sektori publik si një punëdhënës i sigurt, mirëpo ja që kjo po ndodh. Ju e dini që edhe me Ligjin e Pagave caktimin e vlerës momentare të koeficientit, u janë ulur pagat fatkeqësisht dhjetëra mijëra zyrtarëve, në kohën e një inflacioni enorm ku secili prej nesh ka pësuar rënie të fuqisë blerëse dhe kjo e rrit është më tepër dëshpërimin”, shprehet Bajrami.
Deputetja komenton deklarimet e kryeministrit Kurti për qeverisje të mirë e rritje ekonmike gjatë kohës kur ai është në qeveri.
“Ndërsa, sa i përket citimit të deklaratave të kryeministrit Kurti, më duket pjesë nga një fjalim në Kuvend, t’ju them të drejtën asnjëra prej tyre nuk qëndrojnë, për shkak se rritja prej 10.7 për qind në vitin 2021, e para i atribuohet një boom-i postpandemik të cilin e kanë pasur krejt vendet e rajonit dhe kjo rritje ka qenë te secili vend dhe jo vetëm tek ne dhe nuk e ka bërë z.Kurti, shpesh përmendi rastin e Malit të Zi, ku ata e kanë pasur rënien ekonomike -15 në vitin 2020 dhe kanë pasur një rritje ekonomike +15 në vitin 2021”, thekson Hykmete Bajrami për Gazeta Blic.
Mirëpo, ajo potencon se vitin e kaluar rritja ekonomike ka qenë vetëm 3.5 për qind, e që sipas saj është shqetësuese.
“Por, ajo me çka ne i matim këta saktë është rritja e vitit të kaluar, e cila është vetëm 3.5 për qind, sipas bankës botërore, jemi shumë të shqetësuar, përgjatë këtyre dy viteve dhe përpos ankesave nuk ka pasur realizim të asnjë premtimi të dhënë. Është e vërtetë që janë rritur ekspertet në 900 milionë euro, për herë të parë edhe për herë të parë janë bërë 700, ndërkohë që raporti eksport-import nuk është ai që thotë z.Kurti. Është e vërtetë që raporti ka qenë 1 me 9 në vitin 2017 por z.Kurti kur e ka marrë qeverinë në vitin 2-21, raporti ka qenë 1 me 7 dhe jo 1 me 9, andaj ai mund të kthehet atje diku edhe te viti 2004-2003, e ka një raport krejt tjetër, por duhet ta vlerësojë aty ku e ka marrë dhe raportin eksport-import e ka marrë 1 me 7”, vlerëson deputetja e LDK-së.
Ajo më tej përmend raportet zyrtare të Doganës, për rritje të eksportit, teksa vlerëson se qytetarëve të Kosovës çdo gjë e importuar u ka kushtuar 35 për qind më shtrenjtë.
“Tjetër çka mund të them, eksporti është rritur në 900 milionë por duhet cekur se sipas raporteve zyrtare të Doganave, edhe eksporti edhe importi vitin e kaluar në sasi kanë rënë për 15 për qind, d.m.th sasia e mallrave, qoftë atyre që janë importuar, qoftë eksportuar, ka rënë për 15 për qind, ndërkohë që janë rritur për vlerë diku 20 për qind. Çka nënkupton kjo, që ne kemi pasur zvogëlim të prodhimit vendor dhe gjithashtu tkurrje të konsumit, sepse sipas këtyre statistikave çdo gjë e importuar kosovarëve u ka kushtuar 35 për qind më shtrenjtë, sepse kemi importuar 15 për qind më pak, ndërkohë që ka kushtuar 20 për qind më shumë dhe kjo e bën më të shtrenjtë importin për 35 për qind”, deklaron Bajrami për Gazeta Blic.
Sipas saj, rritja ekonomike prej 3.5 për qind është stagnim.
“Dhe rritja ekonomike prej 3.5 për qind nuk është se i sjell vendit diçka, është gati baras me stagnim, i kemi pasur disa tremujore bajagi të vështirë, edhe tremujori i dytë edhe tremujori i tretë mezi e kalonin 2 për qind”.
Deputetja Bajrami përmend dështimin e Qeverisë në realizimin e investimeve kapitale, për çka thotë se qeveria krenohen me deficit buxhetor, derisa thotë se nuk është diçka për t’u krenuar.
“Ju e dini që ka pasur dështim në realizimin e investimeve kapitale, ata sot krenohen me përmirësimin e balancit buxhetor, thonë që për herë të parë në histori të Kosovës 48 milionë është deficiti buxhetor, mirëpo duhet cekur se 285 milionë të parapara për investime vitin e kaluar, d.m.th këta e kanë përmirësuar deficitin buxhetor duke mos impelmentuar investimet kapitale, që nuk është asgjë për t’u krenuar sepse ata në fillim të vitit kanë planifikuar që të hyjnë borxh për të ndërtuar shkolla e çerdhe, rrugë, hekurudha, autostrada dhe në fund kanë dështuar, as që i kanë filluar këto projekte dhe normalisht që ti e ke një deficit buxhetor më të përmirësuar, por faktikisht i ke privuar qytetarët e vendit dhe ata sot nuk i gëzojnë ato projekte infrastrukturore të cilat ish dashur të realizohen dhe të cilat janë pjesë e programit të qeverisë së VV-së”, potencon ajo.
Bajrami ka kritika për Qeverinë Kurti edhe për ikjen e qytetarëve nga vendi, që thotë se i kanë humbur shpresat, ndërsa që kishin besuar në mrekullitë e Albin Kurtit, ndërsa sot janë të dëshpëruar.
“Ikja enorme e qytetarëve të Kosovës, sidomos ikja e njerëzve e profesionistëve e sidomos atyre që janë të punësuar në sektorin publik është jashtëzakonisht shqetësuese. Dikush nga qeveria duhet të ndalet dhe të mendojë çka nesër kur të bëhet liberalizimi, a do të mbetet dikush në Kosovë. Thjesht kjo qeveri ua ka humbur shpresat njerëzve, ku 51 për qind kanë besuar në mrekullitë e Albin Kurtit dhe ja që sot i ke komplet të dëshpëruar. Asnjë prej premtimeve të tij deri tani nuk janë përmbushur. Nuk është e vërtetë që nuk ka korrupsion, ka korrupsion, nepotizëm, kapja e institucioneve, ndërhyrja e stafit politik enorm në punët e përditshme dhe menaxhimin e përditshëm në administratën e institucioneve publike është korrupsion në vete, e mos të flasim për mega skandalet siç është rasti i Martinit e të tjerë”, thekson tutje.
Deputetja e LDK-së hedh poshtë deklarimet e Qeverisë për krijimin e vendeve të reja të punës, për çka thotë se ka qenë e pamundur, pasi qeveria ka ngecur në investime kapitale.
“Ndërkohë, nuk është e vërtetë që janë krijuar vende të reja të punës, na kemi pasur shumë njerëz që kanë ikur dhe i kanë lënë vendet e sigurta të punës që i kanë pasur, por me një normë ekonomike të rritjes 3.5 për qind ka pasur formalizim të pandemisë dhe masave edhe të qeverisë tonë, edhe të këtyre, mirëpo krijim të vendeve të reja të punës nuk ka pasur, sepse nuk ka mundësi më pas krijim të vendeve të reja të punës, kur ti faktikisht ke ngecur në investime kapitale dhe ke ngecur në realizimin e secilit investim tjetër”.
Ajo përmend edhe rritjen dy herë brenda vitit të çmimit të energjisë, për çka thotë se do t’u rëndohet jeta qytetarëve edhe më shumë.
“Mos të harrojmë që ngritja e çmimit të energjisë elektrike dy herë brenda vitit është barrë jashtëzakonisht e madhe për qytetarët dhe ka ndikuar që inflacioni të mos ndalet dhe tani rritja e çmimit të energjisë elektrike e ngrit koston e bizneseve dhe do të jetë e papërballueshme për qytetarët e vendit”, potencon ajo.
Bajrami kërkon që të ulen dhe të bisedojnë me ministra apo me kryeministrin Kurti, për t’i ballafaquar faktet.
“Nuk di dhe nuk kam parë ndonjë progres apo realizim të edhe një premtimi të vetëm por jemi të hapur gjithmonë të ulemi edhe me ministra apo këndo qoftë, qoftë edhe me kryeministrin për t’i ballafaquar faktet, jo thjesht sa për të bërë opozitarizëm por për t’i ballafaquar faktet sepse vërtet kanë ardhur duke premtuar mrekulli, ndërsa sot nuk janë as afër”, përfundon deputetja Hykmete Bajrami./Gazeta Blic/


