Që kur Lëvizja Vetëvendosje mori pushtetin dhe lideri i saj u bë kryeministri i Kosovës, njerëz të shumtë janë larguar nga vendi i tyre i punës.
Sipas statistikave të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), që i ka siguruar Gazeta Blic numri i personave që janë larguar nga puna është rritur vazhdimisht.
KPMSHCK krahasuar me vitet paraprake ka pasur rritje enorne të numrit të ankesave. Derisa në vitin e parë të Qeveriaë Kurti, pra më 2021 ky Komision ka pranuar 1325 ankesa, ndërsa në vitin e dytë të Qeverisë Kurti, pra më 2022 ka pranuar gjithsejtë 1692 ankesa.
Lidhur me këtë çështje, opozita ka folur për Gazeta Blic.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, thotë se nuk është e befasuar nga kjo rritje enorme e ankesave, teksa shton se kapja e institucioneve është tentuar të bëhet edhe me Ligjin për Zyrtarët Publik.
“Vitet 2021 dhe 2022 ishin shumë të larta në krahasim me vitin 2020, d.m.th, kanë qenë vetëm 424 ankesa në 2020, më pas në vitin 2021 numri shkon në 1235, ndërsa në vitin 2022 në 1253, kjo është një rritje enorme e ankesave. Këto ankesa nuk na befasojnë aspak sepse tashmë kapja e institucioneve është tentuar të bëhet edhe me Ligjin për Zyrtarët Publik, i keni parë edhe ankesat e zyrës së BE-së edhe ankesat e donatorëve që për 2 dekada kanë ndihmuar në ndërtimin e një administrate publike profesionale dhe tash gjithçka mundohet të politizohet”, thotë ajo.
Sipas Bajramit, është shqetësuese që nga sektori publik që njihet si më i sigurt të largohen njerëz dhe të ikin jashtë vendit, ku përmend edhe koeficientin e Ligjit të Pagave.
“Ne i dimë sepse njohim njerëz edhe nëpër institucione dhe kemi qenë vetë se si është situata, jo vetëm numri i ankesave por edhe lënia komplet e vendit të punës është jashtëzakonisht shqetësuese. Përpara s’ka ndodhur që dikush nga institucionet ta lë vendin e punës në institucione publike dhe të shkojë jashtë shtetit, është konsideruar të paktën sektori publik si një punëdhënës i sigurt, mirëpo ja që kjo po ndodh. Ju e dini që edhe me Ligjin e Pagave caktimin e vlerës momentare të koeficientit, u janë ulur pagat fatkeqësisht dhjetëra mijëra zyrtarëve, në kohën e një inflacioni enorm ku secili prej nesh ka pësuar rënie të fuqisë blerëse dhe kjo e rrit është më tepër dëshpërimin”, thekson ajo.
Ndërsa, lidhur me deklarimet e Kurtit për qeverisje të suksesshme, thotë se ato nuk qëndrojnë.
“Ndërsa sa i përket citimit të deklaratave të kryeministrit Kurti, më duket pjesë nga një fjalim në Kuvend, t’ju them të drejtën asnjëra prej tyre nuk qëndrojnë, për shkak se rritja prej 10.7 për qind në vitin 2021, e para i atribuohet një boom-i postpandemik të cilin e kanë pasur krejt vendet e rajonit dhe kjo rritje ka qenë te secili vend dhe jo vetëm tek ne dhe nuk e ka bërë z.Kurti, shpesh përmendi rastin e Malit të Zi, ku ata e kanë pasur rënien ekonomike -15 në vitin 2020 dhe kanë pasur një rritje ekonomike +15 në vitin 2021”, deklaron deputetja e LDK-së për Gazeta Blic.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë për Gazeta Blic se qeveria Kurti ka ardhur në pushtet duke kritikuar nepotizmin dhe me premtimin për drejtësi e meritokraci.
“Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet, duke kritikuar nepotizmin dhe punësimet politike e familjare të të gjitha Qeverive të kaluara. Madje kjo Qeveri pati ardhur me premtime që këto do të ndalohen, dhe që në konkurset publike do të ketë drejtësi, barazi dhe meritokraci”, thotë ai.
Sipas Lekajt, gjendja e sotme është për keqardhje, ku askush nuk mund të punësohet pa kaluar në zyrat e partisë në pushtet.
“Faktikisht gjendja e krijuar në ditët e sotme është për keqardhje, pasi kemi një kapje politike të institucioneve të vendit nga kjo Qeverisje. Pra, nuk mundet kush të punësohet dhe emërohet në nivele te institucioneve publike, pa kaluar ata emra në zyrat e partisë në pushtet dhe të kenë miratimin e tyre. Për më keq, shumë institucione qendrore kanë mbetur pa udhëheqës, për shkak të mos arritjes së emërimit të personave me direktivave të Qeverisë”, shton ai.
Deputeti vlerëson se të gjithë të punësuar nëpër ndërmarrje publike e ministri janë të lidhur me VV-në.
“Të gjithë të punësuarit nëpër ndërmarrje publike dhe ministri, janë kryetarë dhe udhëheqësit e degëve, ish kandidat për deputetë, ish kandidat për kryetar komune, si dhe familjarë e të afërm të pushtetit të VV-së”, thekson Pal Lekaj për Gazeta Blic.
Ai këtë e sheh si zhgënjim për qytetarët dhe se qeveria në vend se të ketë plane për modernizim e cilësi të administratës, të bëjë shkarkime nga puna dhe ta prishë sistemin e punës atje.
“Këto veprime janë zhgënjim për qytetarët dhe neve si spektër politikë. Në vend që Qeveria Kurti të krijon strategji e plane me qëllim që të arrihet modernizimi dhe cilësia e administratës, ndërmarrjeve publike dhe digastereve të Ministrive, ata po merren me inate, shkarkime dhe prishjen e sistemit të punës dhe administratës së Kosovës”, deklaron Lekaj./Gazeta Blic/




Largimet nga puna prej Qeverisë Kurti– Një mal ankesash në KPMSHCK, shumica të fituara (Dokument)


