Disa seanca janë caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe gjykatat tjera për ditën e hënë dhe të martë, ditë këto që sipas kalendarit janë ditë të festave zyrtare në Republikën e Kosovës.
Pas ankesave të paraqitura nga palët e ndryshme, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të kërkuar një sqarim për këtë çështje.
Kryesusi Albert Zogaj, e ka konfirmuar se të hënën dhe të martën nuk do të punohet në gjykata, raporton “Betim për Drejtësi”.
Ndryshe, për ditën e martë ishin caktuar edhe seanca në raste të korrupsionit si rasti ndaj Ismet Halitit, i cili bashkë me Skender Canollin po akuzohen se në cilësi të personave zyrtar në Komunën e Prishtinës i kishin mundësuar H.V përfitim nga ndërtimet pa leje.
Po ashtu, të martën pra me 11 prill është caktuar edhe rasti “Subvencionet 1”, rast ky mediatik.
Ndryshe, në ueb- faqen e Gjykatës Themelore në Prishtinës, në orarin e seancave janë të evidentuara disa seanca gjyqësore, në departamente dhe divizione të ndryshme.
Sipas kalendarit të festave zyrtare, 10 prilli (e hënë- Dita e Kushtetutës) dhe 11 prill (e martë-Pashkët Katolike) janë festa zyrtare në Republikën e Kosovës.
Dita e Kushtetutës është më 9 prill, ndërsa Pashkët më 10 prill, mirëpo, sipas Ligjit për festat zyrtare, kur dita e pushimit bie në ditë vikendi zëvendësohet pushimi në një ditë të javës.


