Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka ngre alarmin se Qeveria e Kosovës, saktësisht ministra e Financave po bllokon 28,8 milionë euro të të hyrave vetanake për kryeqytetin e Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij, ai ka informata se ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.
Rama thotë se është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave.
“Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë”, ka shkruar Rama.
Sipas kryetarit të Prishtinës janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të kryeqytetit për këtë vit, të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës.
Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade, vlerëson ai.
“Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale. Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës’, shkuar ai.


