Zyrtarja e shtypit për Politikë të Jashtme dhe Siguri nga BE, Paloma Hall Caballero nuk ka konfirmuar se mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq do të ketë takim më 22 prill.
Krahas kësaj, Paloma Hall Caballero i tha Gazetës Blic se pas takimit të fundit mes Bislimit dhe Petkoviqit në Bruksel, palët ranë dakord për tekstin e Deklaratës së Personave të Zhdukur.
Ajo shtoi se teksti i Deklaratës së Personave të Zhdukur do të miratohet zyrtarisht nga liderët në takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë, teksa nuk zbuloi kur do të jetë kjo datë.
“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel të martën (4 prill) për takimin e parë të Dialogut pas takimit të fundit të nivelit të lartë në Ohër.Ata diskutuan çështje të shumta në rendin e ditës, duke përfshirë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit, si dhe çështjet aktuale të ngutshme si energjia dhe targat”, tha Paloma Hall Caballero.
“Si hap i parë dhe në përputhje me Aneksin, Palët ranë dakord për tekstin e Deklaratës së Personave të Zhdukur, i cili do të miratohet zyrtarisht nga liderët në takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë. Ne do të shpallim datën e këtij takimi kur është e nevojshme”, shtoi ajo.
Paloma Hall Caballero thotë se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të respektojnë të gjitha detyrimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i arritur në Ohër dhe të fillojnë zbatimin e tyre pa vonesë, teksa shtoi se nevojiten më shumë bisedime për të gjitha çështjet.
“Është e qartë se nevojiten më shumë bisedime për të gjitha çështjet në rendin e ditës për të arritur përparim, dhe palët ranë dakord të takohen përsëri së shpejti.BE pret që Kosova dhe Serbia të respektojnë të gjitha detyrimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i arritur në Ohër dhe të fillojnë zbatimin e tyre pa vonesë”, tha ajo.
“Palët gjithashtu duhet të shmangin çdo retorikë dhe veprime kundërproduktive/jokonstruktive që kanë potencialin të prishin zbatimin dhe të rrezikojnë stabilitetin në terren”, tha Paloma Hall Caballero për GazetaBlic.
Kujtojmë se, zëvendëskryeministri i Kosovës që është edhe kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, tha dje pas takimit me Petkoviqin se u diskutua për temat aktuale si dhe temat nga marrëveshja bazike mes dy vendeve.
“Pati një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivel të lartë politik të mbahet me 22 prill, por që kjo nuk është edhe aq e sigurt sepse ka indikacione që presidenit i Serbisë nuk është i gatshëm nuk mund të vijë në këtë datë, kështu që jemi duke e shqyrtuar nëj datë tjetër. Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit, ngase ka pak paqartësi në çështjen procedurale, se kujt duhet drejtuar drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet.” – ka thënë ai.
/GazetaBlic/


