Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, raporton Ekonomia Online.
Një projektligj i ri, sipas drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), Naser Ramadani, ka qenë nevojë e kahmotshme, për shkak të vjetërsimit të ligjit të kaluar.Ai ka cilësuar se projektligji i ri, mund të mos jetë perfekt, por se i plotëson kushtet dhe së është hartuar në përputhje me ligjet e OBSH-së.
Tutje, Ramadani tha se nuk duhet të ketë mospajtime në terminologji, dikush i quan sëmundje ngjitëse e dikush infektive.
“Unë e përdor sëmundje ngjitëse, profesori Shemsedin sëmundje infektive, është çështje terminologjie. Nuk duhet të ketë ‘konflikt’ eventual në terminologji”.
“Disa fjalë për hartimin e këtij ligji, i cili ka qenë nevojë e kahmotshme, për shkak të vjetërsimit të ligjit të kaluar. Nuk ka ligj perfekt, ky është ligj i kohës, aktual që i plotëson kushtet që ne i kemi në punë. Ky ligj më së shumti i përket institucioneve shëndetësore”.
“Për parandalimin dhe kontrollimin e sëmundjeve ngjitëse ky ligj është bërë në mënyrë bashkohore”, tha tutje ai.
Njëjtë u shpreh edhe Afërdita Hoxha, nga departamenti ligjor i MSH-së, e cila tha se nevoja ka qenë shumë e madhe që ky ligj të përditësohet.
“Në momentin kur e kemi lënë një nen të veçantë se Qeveria e shpallë emergjencën shëndetësore, kur OBSh e shpallë se nuk ka nevojë për emergjencë shëndetësore atëherë IKShPK-ja e shfuqizon vendimin e mëhershëm”, tha Hoxha.
Ndërsa, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, tha se i vjen mirë që ligji ka arritur deri në këtë fazë, pra te dëgjimi publik.
“Më vjen mirë që ky ligj ka arritur deri në këtë fazë, tek dëgjimi publik. Disa nga anëtarët e grupit punues janë po ashtu prezentë sot”.
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se ligji ka ende vend për përmirësime, duke u fokusuar te gjobat për personat juridik dhe privat.
“Besoj që ka hapësirë për t’i rishikuar, gjithmonë në formë të parandalimit. Pjesa kryesore që duhet të ketë fokus tek gjobat është pjesa e personave juridik dhe privat”.“Ne e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese sa i përket karantinës. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime që merren parasysh në ligjin bazë. Akoma po përballemi me raste të infeksionit, për ditë IKShPK e ka raportin”, tha ai.E deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, kritikoi ligjin se nuk i specifikon sëmundjet e udhëtarëve.
“Përfaqësuesin e OBSh nuk po i shoh, kishte qenë mirë të jenë këtu. Pandemitë do të jenë pjesë e jetës sonë, kjo është kostoja e globalizimit. Në këtë ligj mungojnë sëmundjet e udhëtarëve. Nuk jemi duke bërë politika as pozitë e as opozitë këtu, jemi tu dashtë me nxjerrë diçka pozitive”, tha Dreshaj.