Se nuk ka prag minimal për t’i kontestuar zgjedhjet e thotë edhe hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli.
Thotë se procesi mund të jetë në rregull me vetëm një votues.
“Legjislacioni në Kosovë, fatmirësisht nuk e ka përcaktuar asnjë prag minimal të daljes në zgjedhje të votuesve në mënyrë që zgjedhjet të konsiderohen të ligjshme apo legjitime nga ana e palëve, pra mjafton një votues i vetëm të dalë në cilëndo prej këtyre komunave dhe vota e tij të jetë e vlefshme në mënyrë që procesi të jetë ligjërisht në rregull. Pastaj sesa në praktikë mund të implementohet rezultati zgjedhor, është çështje tjetër që u takon institucioneve qendrore dhe në veçanti forcave të sigurisë, në mënyrë që të garantohet që personat e zgjedhur nëpër pozita të kenë mundësi që lirshëm të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues”, thotë Cakolli.
Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e katër komunave veriore, ka qenë e pritshme sipas tij.
Thotë se me marrëveshjen e Ohrit, është evituar rreziku i një precedenti për shtyrje të vazhdueshme të zgjedhjeve.
“Në bazë të deklarimeve të tyre, ka qenë deri diku e pritshme që Lista Serbe nuk do të marr pjesë në zgjedhje dhe besoj që ndër arsyet kryesore përveç atyre që i kanë përmendur ata, ka qenë edhe tendenca për të përçuar mesazh mbase se pa Listën Serbe nuk mund të organizohen zgjedhje lirshëm në pjesën veriore të vendit”.
“Konsideroj që pas momentumit të krijuar me Marrëveshjen e Ohrit si dhe deklarimeve të vazhdueshme të faktorëve ndërkombëtare se zgjedhjet tashmë duhet të organizohen pavarësisht mospjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje, procesi nuk mund të ndërpritet dhe është evituar mundësia e shndërrimit në një precedent shumë të rrezikshëm të shtyrjes së vazhdueshme të zgjedhjeve për shkak të tekeve të një subjekti politik, pavarësisht se në cilin vend”.
Me mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje, Cakolli thotë se do të vërehet edhe mosdalja e qytetarëve në këto zgjedhje.
“Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje do të ketë ndikime në shumë dimenzione, ndër cilat besoj që më e vërejtur do të jetë dalja në zgjedhje e votuesve. Kjo duke e ditur që Lista Serbe në vazhdimësi e ka pasur përkrahjen e mbi 95 për qind të votuesve në mesin e atyre që dalin në zgjedhje në pjesët veriore të vendit, që është dyfishimi i mesatares së daljes së votuesve krahasuar me pjesën tjetër”, u shpreh ai./EO/


