Sporti

Presidenti i Federatës së Andorrës: Kemi arritur rezultat historik në Kosovë, ne nuk kemi ende ligë profesioniste

03/31/2023 16:38
nga:Mergim Rreci

Presidenti i Federatës së Andorrës, Felix Alvarez, ka komentuar barazimin e ‘famshëm’ në ndeshjen ndaj Kosovës.

Ishte ky një rezultat i jashtëzakonshëm dhe historik për këtë kombëtare, me festën e madhe që u pa edhe tek futbollistët pas ndeshjes.

Alvarez tha se ajo që kanë arritur në ndeshjen ndaj Kosovës e bën të gjithë vendin krenar, duke thënë se kjo është një dëshmi e qartë që kjo kombëtare po rritet dita-ditës.

“Është padyshim një rezultat historik, me vlerë të madhe duke pasur parasysh se Kosova është e 106-ta në botë dhe sapo kishte barazuar në Izrael. Ne po korrim frytet e punës së mirë që po bëjmë prej shumë vitesh. Ajo që kemi arritur ndaj Kosovës e bën të gjithë vendin krenar, dhe është një dëshmi që ky ekip po rritet në bazë të punës“, tha fillimisht ai.

Më pas, Alvarez tha se kërkojnë rezultate pozitive ndeshje pas ndeshje, por që e kanë të vështirë pasi që liga e tyre nuk është 100% profesioniste.

“Andorra mundohet të shkojë ndeshje pas ndeshje, të jetë konkurruese ashtu siç është, duke arritur rezultate meritore si ajo në Kosovë dhe shpresojmë që një ditë të arrijmë të kualifikohemi, por kjo aspiratë sot është më se e komplikuar. Kemi një nga ligat e pakta që nuk është ende 100% e profesionalizuar, më pak lojtarë që mund të thirren, më pak strukturë, më pak fusha. Jemi më dobët pothuajse në çdo gjë krahasuar me skuadrat e tjera evropiane”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/