Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë prezantuar dy projekte që kanë të bëjnë me Ushtrinë e Kosovës.
Ai tha se do të investohen miliona euro pas shpronësimeve në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës.
Në projektin e parë u bë e ditur se do të ndërtohen poligone taktike për shërbim të ushtarëve të FSK-së, e që sipas ministrit Mehaj pritet të jetë me standarde të NATO-s dhe SHBA-së.
I pari i Mbrojtjes u shpreh se ndërtimi i poligoneve do të bëhet edhe në bashkëpunim me partnerët strategjik të Kosovës, me theks të veçant, NATO-n dhe ShBA-në.
Ai teksa falënderoi partnerët e Kosovës, theksoi se ky projekt do të jetë në dispozicion edhe për ushtarët paqeruajtës në Kosovë.
Ndërkohë, ministri Aliu tregoi se “për ne ka qenë kënaqësi dhe privilegj të punojmë që sa më shpejtë të realizojmë detyrat në fushën e shpronësimit dhe kadastrës”.
“Kemi arritur gjatë vitit 2022 t’i kryejmë me sukses procedurat e shpronësimit për dy projekte të ministrisë së Mbrojtjes. Qeveria e Kosovës i ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim”, u shpreh ai.


