Lajme

Viti 2023 nis me shumë kriminalitet, 17 tentim-vrasje në intervalin kohor janar-shkurt

03/29/2023 09:58
nga:Y I

Kohët e fundit në Kosovë e veqanarisht në kryeqytet është rritur numri vrasjeve, tentim vrasjeve dhe rrahjeve.

Dy netë më parë Prishtina u trondit nga plagosja e dy të rinjve, ngjarje e cila fatmirësisht përfundoi pa fatalitet.

Nga Policia e Kosovës për “Gazeta Blic” kanë dhënë statistikat se sa ka qenë numri i tentim-vrasjeve vetëm për periudhën janar-shkurt 2023.

Në këtë interval kohor ka patur 17 raste të tentim- vrasjeve, numër ky relativisht i lartë.

 

Ndërsa përgjatë gjithë vitit 2022 kanë qenë 88 raste të tentim-vrasjeve.

Ekspertët e sigurisë kanë folur në lidhje me situatën shqetësuese të rritjes së aktiviteteve kriminale në kryeqytet me më gjerë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për “Gazeta Blic” se Policia duhet të shikojë mundësinë e legalizimit të armëve.

“Vrasjet, plagosjet por edhe ngatërresat janë shqetësim për opinionin për shkak të humbjes së jetës së njerzve që është pasojë e gjakmarrjes por edhe ngatërresave që po nodhin add-hoc. Kjo bën që Policia duhet të ngrit masat e sigurisë, që të shtojë kontrollin ndaj qytetarëve, sidomos në hyrje-daljet e qyteteve, sidomos tani kur ka një trend në rritje të këtyre rasteve. Armët që përdoren në këto raste janë mjete në posedim ilegal të qytetarëve dhe kjo tregon një shqetësim që përkundër se jemi 24 vite nga çlirimi i Kosovës, ne ende po ballafaqohemi me pasojat e posedimit ilegal të armëve që llogariten që janë diku mbi 350 mijë. Policia e Kosovës, kohëve të fundit po konfiskon me qindra armë dhe mijëra municione që tregon që çdo bastistje qoftë personale, në automjet apo objekte po gjenden armë në posedim ilegal”

“Mendoj se edhe Qeveria duhet të rishikojë mundësinë e shpalljes së legalizimit të armëve, ato që janë në posedim ilegal, ato që mund të konvertohen ne posedim legal që janë armë për bartje personale. Pjesa tjetër që janë armë luftarake duhet të dorëzohen. Përveç kontrollove të shtuara të Policisë në vendet ku ato po ndodhin keto janë disa nga masat që duhet të merren. Duke vlerësu edhe situatën rreth ngatërresave mund të kenë pasojë, duhet të merren masat parandaluese, një situatë kur rasti është paraqit në Polici etj që mund t’i paraprijnë një pasoje fatale” deklaroi Ibishi për “Gazeta Blic”

Rritja e aktiviteteve kriminale, ekspertët e sigurisë/ Qeveria të rishikojë mundësinë e legalizimit të armëve!