Lajme

Rritja e aktiviteteve kriminale, ekspertët e sigurisë/ Qeveria të rishikojë mundësinë e legalizimit të armëve!

03/28/2023 13:47
nga:Y I

Mbrëmjen e djeshme kryeqyteti u trondit nga një plagosje e dyfishtë në rrugën “Qamil Hoxha”.

Dy persona mbetën të plagosur, njëri me thikë ndërsa tjetri me armë zjarri, të moshës 24 dhe 25 vjeç.

Por rasti i mbrëmjes së djeshme nuk është një rast i izoluar.

Vrasjet, tentim vrasjet dhe rrahjet janë shtuar shumë kohët e fundit në Prishtinë, por edhe në Kosovë.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, duke folur për “Gazeta Blic” rreth kësaj situate tha se këto raste në rritje janë një shqetësim i madh për opinionin publik.

Ibishi tha se edhe 24 vite pas çlirimit, Kosova po ballafaqohet me pasojet e posedimit ilegal të armëve.

Ai tha se Qeveria duhet të rishikojë mundësinë e legalizimit të armëve.

“Vrasjet, plagosjet por edhe ngatërresat janë shqetësim për opinionin për shkak të humbjes së jetës së njerzve që është pasojë e gjakmarrjes por edhe ngatërresave që po nodhin add-hoc. Kjo bën që Policia duhet të ngrit masat e sigurisë, që të shtojë kontrollin ndaj qytetarëve, sidomos në hyrje-daljet e qyteteve, sidomos tani kur ka një trend në rritje të këtyre rasteve. Armët që përdoren në këto raste janë mjete në posedim ilegal  të qytetarëve dhe kjo tregon një shqetësim që përkundër se jemi 24 vite nga çlirimi i Kosovës, ne ende po ballafaqohemi me pasojat e posedimit ilegal të armëve që llogariten që janë diku mbi 350 mijë. Policia e Kosovës, kohëve të fundit po konfiskon me qindra armë dhe mijëra municione që tregon që çdo bastistje qoftë personale, në automjet apo objekte po gjenden armë në posedim ilegal”

“Mendoj se edhe Qeveria duhet të rishikojë mundësinë e shpalljes së legalizimit të armëve, ato që janë në posedim ilegal, ato që mund të konvertohen ne posedim legal që janë armë për bartje personale. Pjesa tjetër që janë armë luftarake duhet të dorëzohen. Përveç kontrollove të shtuara të Policisë në vendet ku ato po ndodhin keto janë disa nga masat që duhet të merren. Duke vlerësu edhe situatën rreth ngatërresave mund të kenë pasojë, duhet të merren masat parandaluese, një situatë kur rasti është paraqit në Polici etj që mund t’i paraprijnë një pasoje fatale” deklaroi Ibishi për “Gazeta Blic”


Nuredin Ibishi, Ekspert sigurie

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, po thotë se duhet të merren masa për shkak të rritjes së aktiviteteve kriminale në kryeqytet.

Shala tha se duhet të jetësohet Ligji për Prishtinën, ku këtu është e preçizuar që të ketë edhe Policinë komunale të kryeqytetit.

“Sa i përket çështjes së aktiviteteve kriminale të disa individëve dhe grupeve të cilët janë duke terrorizuar sigurinë publike në kryeqytet, unë mendoj se Drejtoria për Siguri dhe Mbrojtje tanimë e formuar nga ana e kryetarit të Prishtinës por njëkohësisht edhe niveli më i lartë, menaxhmenti në nivelin qëndror te Policisë së Kosovës, duhet të hartojë sa më parë që është e mundur një strategji për ta monitoruar dhe mbikqyrur në detaje kryeqytetin për arsye se trendi është në progres e sipër sa i përket sulmeve të cilat drejperdrejtë e cënojnë edhe sigurinë e qytetarit por edhe sigurinë e përgjithshme në kryeqytet. Në anën tjetër duhet të jetësohet sa më parë që është e mundur edhe Ligji për Prishtinën, ku këtu është e preçizuar që të ketë edhe Policinë komunale të kryeqytetit.  Me këtë aktivitet do të kishim patur edhe shtrirje vertikale edhe horizontale sa i përket prezencës se sektorit te sigurise në çdo rrugë e në çdo lagje, të cilat de facto do të kishin garantu një siguri tek qytetarët por nga ana tjetër do të kishin garantu edhe një mbrojtje, që tani për tani po mungon nga ana e mekanizmave të sigurisë” deklaroi Shala për “Gazeta Blic”


Drizan Shala, Ekspert sigurie

/Gazeta Blic/

Mësohet motivi që çoi në plagosjen e dy personave në Prishtinë?