Kosova luan nesër ndaj Andorës në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.
“Dardanët” ndeshjen e parë e kishin në udhëtim ndaj Izraelit ku barazuan në “Bloomfield Stadium” me rezultat 1-1, shkruan GazetaBlic Sport.
Kosova ishte e para në avantazh pas autogolit të Dasa i cili topin e kthyer nga Rashica drejt Muriqit e devijoi në portën e tij në minutën e 36’të. Mirëpo në pjesën e dytë Izraeli barazoi shifrat me golin e Peretz. Rashica kishte rastin e artë që në sekondat e fundit t’i siguronte tre pikët e plota, por në rast ballë për ballë me portierin nuk arriti ta dërgoi topin në portë.
Para ndeshjes me Andorën sulmuesi i Kosovës ka mbajtur konferencë për shtyp bashkë me trajnerin Giresse.
“Pirati kosovar” tha se Kosova ndaj Andorës ka për synim vetëm fitoren
“Ishte rezultat pozitiv në Tel Aviv, pasi kemi mundur të humbim, por edhe të fitonim. Por, për ta bërë më të vlefshme këtë pikë, duhet të fitojmë ndaj Andorrës dhe të tubojmë katër pikë në dy ndeshjet e para besoj se është mirë për neve”, tha fillimisht Vedati.
Tutje, për ndeshjen e nesërme ai tha që kanë obligim fitoren dhe nuk pranohet ndonjë rezultat tjetër.
“Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje dhe mendoj se jemi gati, pasi jemi përgatitur dhe luajmë po ashtu para tifozëve tanë. Pa e nënçmuar kundërshtarin, por çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte i papranueshëm. Fitorja është obligative, sepse nëse duam të kualifikohemi duhet të marrim sa më shumë pikë”, shtoi më pas Muriqi.
/GazetaBlic Sport/


