Zëvendëskryeministri serb dhe ministri i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq ka deklaruar sot se “nuk e ka përshtypjen se Albin Kurti do ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjegjësisht se ka frikë se atë do të bëjë “pro forme”, si maskë pa përmbajtje, e cila do ta komplikojë edhe më shumë pozitën e serbëve dhe të Serbisë”.
Vuçeviq ka deklaruar për televizionin serb “TV Përva” se “çështja e Kosovës” dhe gjithçka që ndodh në Kosovë është një rrezik sigurie i klasit të parë për Serbinë”.
Ministri serb ka thënë se Serbia do të jetë e ekspozuar ndaj presionit gjithnjë e më të madh.
“Perëndimi mendon se Ukraina do të fitojë, Kievi po përgatitet për një kundërsulm. Vlerësimet tona objektive janë se asnjëra palë nuk ka fuqi për një avancim të fortë dhe se do të jetë një luftë e gjatë me humbje të mëdha dhe shkatërrime materiale. Dhe Serbia do të jetë nën presion gjithnjë e më të madh”, ka thënë Vuçeviq.
Ai pretendon se “me atë që ka bërë në vitet 1998/99 dhe në vitin 2008, Perëndimi ka hapur “kutinë e Pandorës” dhe për këtë u intereson që të zgjidhet “nyja e Kosovës” njëherë e përgjithmonë”.
Prandaj është ky presion ndaj Serbisë që kjo çështje të zgjidhet, që ne të pajtohemi me realitetin, vullnetarisht të heqim dorë nga një pjesë të territorit tonë. Edhe pse nuk shihet se a po ofrojnë ata diçka konkrete, asnjë ofertë në kompensim. Unë absolutisht nuk jam për tregti me Kosovën, por as ata nuk duan të bëjnë tregti”, ankohet Vuçeviq.
I pyetur nëse do të formohet Asociacioni ashtu siç është paraparë, Vuçeviq tha se SHBA dhe vendet evropiane po i bëjnë presion Prishtinës që ta bëjë këtë, por ai nuk është i bindur për këtë.
“Nuk kam përshtypjen se Kurti do ta bëjë këtë, por kam frikë se do ta bëjë “pro forme”, si maskë, pa përmbajtje dhe kjo do të na e vështirësojë edhe më shumë situatën. Ka një marrëveshje nga viti 2013, 22 parime nga viti 2015 dhe nuk ka aty nëse ju pëlqen apo nuk ju pëlqen. Se cila duhet të jetë përmbajtja, kompetencat, përcaktohet përmes këtyre marrëveshjeve, me garancitë e BE-së, gjë që është më interesante dhe më irrituese, sepse BE-ja ka vënë nënshkrimin e saj në ato akte, por kjo nuk është zbatuar. Atëherë prej nga të vjen besimi se kjo që thonë sot do të zbatohet”, ka pretenduar Vuçeviq.


