Kombëtarja e Polonisë nesër luan ndaj Shqipërisë në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë. Polonia e Lewandowskit ballafaqohet me Shqipërinë me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian “Euro2024”. Në ndeshjen e parë, Polonia humbi nga Republika e Çekisë me rezultatin 3:1, teksa Shqipëria ende nuk ka startuar kualifikueset, pasi në këtë muaj do të ballafaqohet vetëm me polakët.
Trajneri legjendar i futbollit, Fernando Santos, i cili fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2016 me Portugalinë e Ronaldos, tashmë udhëheq kombëtaren e Polonisë. Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Santos potencoi se nuk ka mundur të analizojë shumë Shqipërinë – por se e respekton shumë si kundërshtar.
“Shqipëria nuk ka luajtur asnjë ndeshje deri tani në kualifikuese, andaj ishte e vështirë t’i analizojë. Kam parë dy ndeshjet e fundit që Polonia luajti ndaj tyre. Ne respektojmë ekipin shqiptar, por ne sundojmë këtu”, tha fillimisht Fernando Santos për ‘GazetaBlic Sport’.
Në pamundësi për ta shikuar kombëtaren kuqezi në ndeshjet e këtij viti, Santos thotë se ka analizuar trajnerin e ri të shqiptarëve, Sylvinho, i cili mori drejtimin e Shqipërisë me 2 janar të këtij viti.
“Kam analizuar paksa edhe ndeshjet e Sylvinhos si trajner që ta kuptojë pak lojën e tyre”, përfundoi ai.
68 vjeçari Santos kulmin e karrierës si trajner e kishte me kombëtaren portugeze ku fitoi Kampionatin Evropian, ku mposhti Francë 1:0 në finale pas vazhdimeve. Ai në Botërorin e fundit të Katarit udhëhoqi Portugalinë – ku arriti deri në çerekfinale, ku u eliminua nga kombëtarja e Marokut pas humbjes 1:0. Pas përfundimit të Botërorit ai u largua nga Portugalia, për t’iu bashkuar Polonisë me 25 janar të vitit 2023.
Në ndeshjen e nesërme në Varshavë, Fernando Santos do të drejtojë për herë të parë Poloninë në shtëpi, teksa synon rezultat pozitiv. Në stadiumin “Narodowy” pritet të ketë rreth 500 shqiptarë nga radhët e “Tifozave Kuq e Zi” që do ta mbështesin kombëtaren e Sylvinhos.
/GazetaBlic Sport/


