Lajme

Këshilltarja e Presidentes i reagon Hillit: Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’, ishte përgjigje ndaj një regjimi gjenocidal

03/24/2023 13:34
nga:Astrit Gashi

Donjeta Miftari, këshilltarja e Presidentes se Kosovës, i ka reaguar ambasadorit amerikan në Serbi, Cristopher Hill, pasi që ai ngushëlloi për humbjet e jetëve gjatë luftërave të viteve 90’të dhe gjatë bombardimeve të NATO’s dhe tha se Serbia nuk do ta harrojë kurrë atë periudhë, duke theksuar se duket që ambasadori Hill ka vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.

Ajo më tej thekson se në fakt Serbia nuk duhet ta harrojë atë periudhë pasi sulmet ndodhën si përgjigje ndaj veprimet të një regjimi brutal dhe gjenocidal.

“Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, shkroi Miftari në Twitter.

Më tej këshilltarja Miftari në profilin e saj në Twitter ka paraqitur edhe fjalimin e ish presidentit amerikan, Bill Clinton i cili i ishte drejtuar qytetarëve amerikan për sulmet e NATO-s ndaj caqeve të Serbisë dhe arsyeve pse duhet të ndërhyjnë.

Ai në paraqitjen për qytetarët amerikan në atë kohë tregonte për krimet që bëheshin ndaj qytetarëve të Kosovës.