Lajme

Konjufca i jep vërejtje Shalës që shau Kurtin, deputeti i LDK-së nuk kërkon falje

03/23/2023 14:33
nga:Astrit Gashi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përmendur gjuhën jo parlamentare të deputetit të LDK-së, Kujtim Shala, i cili dëgjohet duke sharë gjatë seancës së sotme.

Konjufca tregoi se sipas rregullores së Kuvendit, ndaj tij duhet të shqiptohet një vërejtje për fjalët e thëna, ndonëse nuk e kishte të lëshuar mikrofonin.

“Të gjitha faktet tregojnë se keni përmendur një gjuhë jo parlamentare. Sipas rregullores, iu japim një vërejtje për këtë shkelje. Ju mund të jepni një shpjegim në fund të seancës, nëse jo vazhdojmë”, tha kryetari Konjufca, pas fillimit të seancës.

Më pas, reagoi vetë deputeti Shala. Ai nuk kërkoi falje për gjuhën e ulët që përdori sot ndaj kryeministrit Albin Kurti. Për më tepër, ai kërkoi që t’ia dërgojnë vërejtjen me postë.

“Ma dërgoni vërejtjen me postë”, tha Shala.

Aktualisht po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për marrëveshjen e arritur në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.