Lajme

Kurti raporton sot në kuvend për takimin e Ohrit

03/23/2023 07:45
nga:G B

Kuvendi i Kosovës, sot mban seancë plenare në të cilën pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të raportojë për takimin e Ohrit, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, që u mbajtë më 18 mars.

Seanca nis në ora 10:00.

Kuvendi në rend dite ka këto pika: Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si edhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Gjithashtu në këtë seancëm bëhet edhe shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar, zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë.

Në këtë seancë do të bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për organizimin e tregut për produktet bujqësore dhe themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.