Në 2 vjetorin e Qeverisë Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati ka sjellë për votim raportin për shpenzimet buxhetore të Kosovës dhe ekzekutimin e buxhetit për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2022.
Sipas Muratit, pranime të buxhetit ka pasur rreth 2,6 miliardë euro.
“Ky raport prezanton ekzekutimin e buxhetit nga institucionet e Kosovës, sipas ndarjeve vjetore të ligjit të buxhetit. Sa i përket vitit të kaluar dhe përmbylljes fiskale mund të thuhet se pranime të realizuara gjatë vitit 2022 përfshirë fondet në mirëbesim, të hyrat e bartura dhe donatorët janë në shumën prej 2 miliard e 628 milionë euro dhe paraqesin 87 për qind të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara ndërsa krahasuar me vitin paraprak ka rritje prej 6 për qind.”, tha Murati.
Më tutje, ai tha se sa i përket pagesave të realizuara në vitin 2022, shifra qëndron e ngjashme me pranimet, pra rreth 2.6 miliardë euro.
Gjithsej pagesa të realizuara në anën tjetër gjatë vitit 2022 përfshirë fondet në mirëbesim, të hyrat e bartura dhe donatorët janë 2 miliardë e 625 milionë euro dhe paraqesin 83 për qind të pagesave vjetore të planifikuara.


