Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazlllum Baraliu, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me marrëveshjen e arritur në Ohër mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për zbatimin e planit evropian.
Baraliu po thotë se kjo marrëveshje është e papërshtatshme dhe e padobishme për Kosovën.
“Marrëveshja e cila në fakt nuk i ka tiparet e mirfillta në bazë të standarteve dhe të drejtës ndërkombëtare si marrëveshje e tillë por si një plan-zbatimi i një plani tjetër pra të mhershëm, është e papërshtatshme dhe e pa dobishme për Kosovën. Eshtë thjesht një plan i cili e ngarkon me obligime të shumta, të komplikuara të padefinuara e shumkuptimshe Kosovën ndërkohë që Serbisë pothuajse asnjë ngarkesë apo obligim. Kosovën e ngarkon me urgjencë veprimi dhe me dy komitete, me një komitet special dhe me komision monitorimi që është i përbashkët për të dy palët dhe Bashkimin Evropian”, thotë ai.
Baraliu thotë se në disa dispozita të këtij plani cënohet drejtperdrejt ose në mënyrë indirekte rendi Kushtetues dhe juridik i Kosovës
“Sidomos në disa dispozita të këtij plani që kanë të bëjnë me ndërhyrjen ose ingranimin e zgjidhjeve të cilat cënojnë drejperdrejt ose në mënyrë indirekte dispozitat e Kushtetutës, rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës duke ndërtuar struktura të një autonomie politiko-territoriale me një tjeter autonome gjegjësisht një statusi special i cili mund të jetë i ndërtuar ose i ingranuar si esktraterritorialitet që është po ashtu një ndërhyrje tjetër dhe një prani e shtetesisë klerikale serbe, e cila selinë e ka në Beograd dhe këtu do të ketë sovranitet”
“Të gjitha këto e cenojnë e dëmtojnë e desfunksionalizojnë shtetësinë e Kosovës dhe kam frikë edhe stabilitetin në Kosovë dhe madje mund të ketë pasoja edhe në rajon sepse nuk është e pranuar as mbi 75% të qytetarë. Vazhdimisht gjatë ketyre dhjetë viteve prej kur janë miratu dy marrëveshjet atje , kjo eshte diçka e paketuar edhe më shume sesa Asociacioni apo Plani i Ahtisarit” deklaroi Baraliu për “Gazeta Blic”
Palët u dakoorduan në Ohër rreth planit evropian por nuk pati nënshkrime mes tyre.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e arritur me 18 mars në Ohër është njohje de facto nga Serbia.
“Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillojë qysh dje sepse edhe plani i zbatimit thotë se nuk ka një afat në të ardhmen se kur duhet të fillojë zbatimi i marrëveshjes. Edhe marrëveshjen bazë, edhe planin e zbatimit tani i kemi të dakorduara por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë, e cila kur mbahen takime thotë nuk nënshkruaj, e në mes të takimeve thotë nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kundër pala tjetër për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe OKB-në, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto”, tha Kurti para gazetarëve, raporton Gazeta Blic.


