Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, thotë se në Ballkan tani nevojitet një pikë urgjente e kthesës.
Në një shkrim autorial në “Politico”, ai iu drejtua Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që nesër në Ohër të shfrytëzojnë mundësinë për të bërë hapin historik për dy vendet e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje.
“Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është dashur të jetojnë me çështjet dhe mosmarrëveshjet e tyre të pazgjidhura për një kohë shumë të gjatë. Ka ardhur koha për vendime të guximshme për të kapërcyer pengesat e së kaluarës, duke udhëhequr rrugën drejt bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian.
“Potenciali i plotë për rritjen dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor mund të realizohet vetëm nëse marrëdhënia midis Serbisë dhe Kosovës përfundimisht vihet mbi një bazë të qëndrueshme dhe bashkëpunuese”, ka shkruar Ischinger, përcjellë GazetaBlic.
Ischinger, i përfshirë në negociatat e para një dekade thotë se edhe më herët ishte bërë një version i një marrëveshjeje bazë mes Kosovës dhe Serbisë, e ngjashme me modelin e dy Gjermanive, por thotë se në atë kohë, ajo nuk u realizuar.
“Teksti u bazua në filozofinë e Traktatit Bazë të vitit 1972 midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane, i cili kishte për qëllim të vendoste marrëdhënie të mira fqinjësore midis të dy shteteve dhe lejoi bashkëpunimin e plotë pragmatik, duke anashkaluar disa çështje – si njohja e plotë diplomatike reciproke – që dukej e pazgjidhshme në atë kohë”, ka shkruar Ischinger.
Sipas tij, atëbotë Serbia për fat të keq, Serbia e pa të pamundur nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore dhe një mundësi u humb.
“Natyrisht, shumë ka ndryshuar që nga viti 2007. Kosova, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, është një vend i pavarur dhe demokratik tash e 15 vjet, duke u përpjekur për vendin e saj të merituar dhe të padiskutueshëm në Evropë. Serbia, nga ana e saj, është zhvilluar në një qendër të madhe investimesh për kompanitë ndërkombëtare dhe presidenti Vuçiç është bërë një përkrahës i fuqishëm i integrimit ekonomik të rajonit”, shkroi Ischinger.
Megjithatë, shtoi ai, për sa kohë që të dy vendet mbeten të ngulitura në mënyrën e konfrontimit, ato nuk do të jenë në gjendje të realizojnë potencialin e tyre të plotë ose rolet e tyre në bashkëpunimin dhe integrimin rajonal.
“Ngjarjet e fundit në Kosovën Veriore kanë demonstruar edhe një herë rreziqet e përshkallëzimit – madje edhe të konfliktit të madh – prandaj nevojitet veprim urgjent në lidhje me çështjen e statusit të pazgjidhur të Kosovës dhe çështjen e të drejtave të pakicave të komunitetit të saj serb. Në këtë drejtim, Gjermania dhe Franca nisën së fundmi një përpjekje të re, duke paraqitur një “Propozim evropian” dhe duke u lidhur ngushtë me partnerët e BE-së, veçanërisht me Italinë, Miroslav Lajçak – Përfaqësuesin Special të BE-së për rajonin – dhe Shtetet e Bashkuara.
Deri më tani, Serbia dhe Kosova të dyja kanë treguar se e pranojnë tekstin, megjithatë dallimet në lidhje me modalitetet dhe zbatimin e tij mbeten gjallë. Por zgjidhja është e drejtpërdrejtë: Serbia duhet të pranojë faktin se Kosova është këtu për të qëndruar, përfshirë edhe në skenën ndërkombëtare. Dhe Kosova duhet të pajtohet me domosdoshmërinë e adresimit të shqetësimeve të pakicës së saj serbe, duke përfshirë pranimin e formimit të parashikuar të një asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Si mik i Kosovës dhe i Serbisë dhe vetë ish-negociator i BE-së, i bëj thirrje Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti që të bëjnë një hap të mirëbesimit që tani. Më 18 mars, në Ohër, të dy do të kenë një mundësi historike për të treguar guxim dhe lidership politik. Dhe tani është koha për të çuar përpara Serbinë dhe Kosovën së bashku, në interes të popujve të tyre, në interes të Ballkanit Perëndimor dhe në interes të paqes dhe sigurisë në kontinentin evropian. Bëjeni pikën e kthesës kohore tani”, shkroi Ischinger, përcjellë GazetaBlic.


