Lajme

Largimet nga LDK: Rugova e quan kontraverse ish nënkryetaren, Tërmkolli i quan lojëra tuxharësh e Hyseni nuk ka koment

03/16/2023 18:54
nga:G B

Nënkryetarja e dytë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi Sadiku, ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj në këtë parti të martën.

Ajo fillimisht nuk dha arsye për largimin, e shkaqet nuk i tregoi as vetë partia.

Ndërsa, sot përmes një postimi në Facebook, tha hapësira për të kontribuar në këtë parti nga ana e saj ishte e pamjaftueshme dhe se përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që kishte.

“Të martën, më 14 mars 2023, kam dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mundësinë për të shërbyer në strukturat e larta e morra si besim dhe konfirmim për vullnetin e mirë drejt ndryshimeve thelbësore. Fatkeqësisht, hapësira për të kontribuar ishte e pamjaftueshme ndërkaq, përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që kisha. Për më tepër, përpjekjet për të ndryshuar këtë nuk patën sukses. Vazhdoj të mbetem me gjithë qenien time në themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shkroi në Facebook ajo.

Për largimin e saj nga pozita e nënkryetares së partisë, për Gazeta Blic ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, thotë se deklarata e Mjekiqit është kontraverse dhe se kjo tregon se ka një ekip të ndërtuar mbi interesa personale dhe grupore të kryetarit të partisë.

“Për mendimin tim kjo është deklaratë kontraverse. Si nuk paska pasur hapësirë veprimi nënkryetarja e dytë e partisë. Kjo flet për një ekip të ndërtuar mbi interesa personale dhe grupore të kryetarit të partisë dhe premtimeve pa mbulesë që iu ka bërë individëve të ndryshëm”, vlerëson Rugova.

Sipas tij, largimi i nënkryetares e dëmton imazhin e Abdixhikut dhe një grupi të tij, duke shtuar se mënyra e tij e udhëheqjes e irriton anëtarësinë besnike dhe veprimtarët që e duan LDK-në.

“Ky veprim e dëmton imazhin e kryetarit të partisë dhe një grupi interesi afër tij dhe më pak partinë. Kjo formë e udhëheqjes së partisë irriton anëtarësinë besnike dhe veprimtarët e devotshëm që e duan LDK me zemër. Individët e katapultuar pa merita vijnë dhe shkojnë”, deklaron Naser Rugova për Gazeta Blic.

Ndërsa, ish deputetja Melihate Tërmkolli, e pyetur nga Gazeta Blic lidhur me dorëheqjen e Mjekiqit, ka thënë se nuk ka mendim për lojëra tuxharësh e anonimësh politik.

“Kam preokupime dhe shqetësime për zhvillimet në vend! Për lojëra tuxharësh e anonimësh politik as mendoj, as komentoj gjë”, tha ajo.

Mendim për dorëheqjen e Mjekiqit nga LDK nuk ka as ish ministri Skender Hyseni.

“Më vie keq. Nuk i komentoj ato zhvillime”, është përgjigjur ai për Gazeta Blic.

Ndryshe, kujtojmë që Shqipe Mjekiqi Sadiku u bë nënkryetare e LDK-së në mars të vitit 2021, së bashku me Anton Qunin, Gazmend Muhaxherin dhe Lutfi Hazirin./Gazeta Blic/

 

Mjekiqi reagon për herë të parë: Tregon arsyet pse dha dorëheqje nga LDK-ja