Sporti

Donjeta Sadikut iu mohua pjesëmarrja në Botërorin e boksit me simbolet e Kosovës, Krasniqi: Vendim puro politik, nuk përkon me sportin

03/14/2023 12:01
nga:Lorik J

Donjeta Sadiku, boksierja medaliste e bronztë e Evropës dhe botës zyrtarisht nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që nis sot në New Delhi të Indisë.

Sadiku fillimisht kishte probleme me pajisje me vizë nga shteti mikpritës i kompeticionit, teksa pasi iu aprovua viza – dolën probleme më të mëdha të cilat janë aspak sportive, por puro politike, shkruan GazetaBlic Sport.

Federata e Boksit të Indisë kërkoi që Donjeta Sadiku të merrte pjesë pa asnjë simbol të shtetit tonë, teksa në rast fitores së ndonjë medalje të mos intonohet as himni, gjë e cila i shkel të gjitha rregullat sportive dhe kalon normalitetin.

Kyretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi potencon se ky vendim është politik dhe s’ka të bëjë asnjë me sportin, andaj KOK, MKRS dhe Federata e Boksit nuk u pajtuan që Donjeta Sadiku të garojë në ato kushte.

“Vendimi i Indisë është kryekëput politikë dhe që nuk përkon fare me sportin. Qeveria e këtij vendi, u mundua të heq fajin nga vetja, duke mundësuar dhënien e vizës për Donjeta Sadikun në momentet e fundit, por më pas vuri kushtet, të cilat si për ne si KOK, ashtu edhe për federatën dhe MKRS-në ishin dhe janë të papranueshme. Fatkeqësisht, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka të pamundur të ndërhyjë tek Federata Botërore e Boksit, të cilën e ka të suspenduar prej vitesh. Madje, disa vjet më parë kur Donjetës iu mohua pjesëmarrja nga India, IOC kishte kërkuar që asnjë organizim të mos i jepet Indisë, nëse nuk garanton pjesëmarrjen e barabartë të sportistëve, por duket se IBA e ka shfrytëzuar këtë edhe për shkak të suspendimit që ka”, tha Ismet Krasniqi për ‘GazetaBlic Sport’.

Kjo nuk është hera e parë që sportistëve kosovarë po iu ndalohet që të garojnë me simbole shtetërore, pasi në të kaluarën ka pasur raste të ngjashme në shtetet që nuk e njohin pavarësinë e shtetit tonë.

“Është diçka që nuk varet nga institucionet tona, përfshirë ne si KOK dhe MKRS-në. Ne kemi kërkuar nga të gjitha federatat që paraprakisht të na njoftojnë disa muaj më herët me pjesëmarrjen e tyre në garat e vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që paraprakisht të njoftojmë edhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe organizatorin. Po ashtu, kemi kërkuar nga federatat që ta ngritin zërin edhe në Asambletë e Federatave Ndërkombëtare, në momentin kur ato ia japin një shteti organizimin e kampionateve të tilla. India, por edhe Qipro në rastin e karatesë, zgjodhën në një anë të japin viza për sportistët tanë, ndërsa në anën tjetër t’i kushtëzojnë ata me simbolet shtetëtore, duke u arsyetuar në vendimet e qeverive të tyre”, thotë Krasniqi në lidhje me këtë temë.

/GazetaBlic Sport