Të shtunën e 18 marsit, Ohri do t’i përballë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ky takim me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian vjen pas takimit të 27 shkurtit, ku palët u pajtuan për planin evropian por nuk nënshkruan marrëveshje.
Mirëpo, kryeministri Kurti ka thënë se është skeptik se mund të nënshkruhet marrëveshje me 18 mars, derisa ka theksuar se ajo është dashur të nënshkruhet me 27 shkurt, por që pala serbe ka qenë kundër.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, thotë për Gazeta Blic se Serbia është pala destruktive si zakonisht dhe se u dëshmua se Vuçiq është i interesuar vetëm për marrëveshje për themelimin e Zajednicës dhe jo marrëveshje të përgjithshme.
“Pala destruktive si zakonisht është Serbia, ku edhe njëherë u dëshmua se presidenti Vuçiq nuk është i interesuar për marrëveshje të përgjithshme. Ai thjesht dëshiron marrëveshje për ta instaluar Zajednicën”, thekson ai.
Agusholli është skeptik se me këtë qasje mund të arrihet marrëveshje me 18 mars në Ohër, në mes të dyja vendeve.
“Andaj, ndonëse pala kosovare është treguar bashkëpunuese, jam skeptik se me këtë qasje të presidentit serb, mund të këtë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, me 18 mars në Ohër”, deklaron deputeti Gramos Agusholli./Gazeta Blic/


