Me 18 mars në Ohër do të takohen sërish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ky takim vjen pas atij të 27 shkurtit në Bruksel, ku u pajtuan për planin evropian, por që nuk u nënshkrua marrëveshje.
E, skeptik për nënshkrimi e një marrëveshje me 18 mars është shprehur kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se ajo është dashur të ndodhë me 27 shkurt në Bruksel.
Lidhur me këtë deklaratë dhe pritjet për takimin e 18 marsit, për Gazeta Blic analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë se marrëveshjet pas nënshkrimit duhet ratifikuar në Kuvend, ndryshe nuk prodhojnë efekte shtetërore ndërkombëtare.
“Doktrina e së drejtës ndërkombëtare përcakton se marrëveshjet ndërkombëtare nënshkruhen nga shtetet si palë dhe duhet dërguar pranë kuvendeve përkatëse për ratifikim dhe regjistrim pranë sekretariatit të OKB-së (siç është rasti për demarkacionin Kosovë-Mal i Zi, i ratifikuar nga kuvendet përkatëse dhe i regjistruar nga ana e Malit të Zi) në të kundërtën, nuk prodhojnë kurrfarë efekte shtetërore ndërkombëtare; ndërkaq, marrëveshje ndërshtetërore mund t’i bëjnë edhe entitet juridike”, thekson ai për Gazeta Blic.
Sipas Pulës, takimi i 18 marsit duhet parë nga ecuria e ngjarjeve dhe deklarimeve të kaluara nga përfaqësuesit politikë.
“Mbase, pikturën politike të imagjinuar më 18 mars 2023 duhet vështruar nga ecuria e ngjarjeve dhe deklarimeve publike të së kaluarës, nga përfaqësuesit politikë të të dyja vende. E, rëndësia e një marrëveshje, përkatësisht nënshkrimi me autorë politikë të cilët përfaqësojnë shtetet përkatëse ka peshën e padiskutuar, por se, përcaktimet në përmbajtje të saj, me gjasë, janë të papranuara edhe përkundër deklarimeve së voni se ka gatishmëri për bashkëpunimin të frytshëm rajonal e evropian”, thotë ai.
Pula shton se tani kemi një Serbi me status për anëtarësim në BE, që ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit, duke kundërshtuar BE-në.
“Sot, kemi një Serbi me status kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, e cila ka refuzuar të harmonizojë qëndrimet mbi sanksionet e UE-së ndaj Iranit të miratuara së voni, kështu, duke krijuar një veçim nga e gjithë fotografia evropiane ashtu siç ka refuzuar të rreshtohet edhe kundrejt sanksioneve ndaj Rusisë”, deklaron Shqiprim Pula për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se arritja e marrëveshjes varet nga vullneti i Kurtit dhe Vuçiq dhe oferta për planin e zbatimit.
“Në fakt arritja e një marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të varet fillimisht nga vullneti i përfaqësuesve të shteteve në fjalë, si dhe oferta që do të jetë në tavolinë lidhur me Planin e Veprimit, për zbatim të Marrëveshjes për Normalizim të raporteve ndërmjet të dyja vendeve”, vlerëson ai.
Ndërsa, lidhur me skepticizmin e kryeministrit Kurti, ai thotë se ai mendon se pala serbe nuk do ta pranojë marrëveshjen e ofruar nga BE-ja, ndërsa që Serbia mendon se Kosova nuk do ta zbatojë pikën për formimin e Asociacionit.
“Kryeministri Kurti është skeptik sepse mendon që pala serbe nuk do të pranojë marrëveshjen aktuale të ofruar nga BE-ja, kurse pala serbe mendon se Kosova nuk do ta zbatojë pikën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por në fund mendoj se të dyja palët do të vijnë deri të arritja e një marrëveshje, sepse vendnumërimi nuk është zgjidhje as për Kosovën e as për Serbinë”, deklaron ai./Gazeta Blic/


