Lajme

“Lojë fjalësh”/ Opozita për skepticizimin e Kurtit: Koha për marrëveshjen, ai do ta nënshkruajë duke shkelur parimet

03/13/2023 21:38
nga:G B

Kanë mbetur edhe pesë ditë deri në takimin e radhës Kurti-Vuçiq në Ohër.

Dyshja do të mbajnë takimin e dytë brenda më pak se një muaji, pas atij të mbajtur në Bruksel me 27 shkurt.

Megjithatë, ani pse nuk pati nënshkrim por pajtim për planin evropian, kryeministri kosovar, Albin Kurti shprehet skeptik për nënshkrimin e një marrëveshje në takimin e radhës.

Sipas tij, marrëveshja është dashur të nënshkruhet në takimin e fundit në Bruksel, për çka pala serbe nuk ishte e gatshme.

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë për Gazeta Blic se deklarimi i Kurtit është lojë fjalësh dhe se vetë kryeministri duhet të tregojë se pse nuk mund të nënshkruhet marrëveshje, nëse palët janë pajtuar me të.

“Deklarimi i z. Kurti se është skeptik për sa i përket mundësisë së arritjes së marrëveshjes me palën serbe në Ohër, nuk është gjë tjetër përveç lojë fjalësh, siç di t’i bëjë ai në situata të tilla. Tani është mirë të sqarohet nga vetë ai, pse nuk mund të nënshkruhet marrëveshja për të cilën veçse janë pajtuar palët”, thotë ajo.

Se a pret që të nënshkruhet marrëveshje me 18 mars në Ohër, deputetja e LDK-së thekson se gjasat janë që po, duke marrë për bazë zhvillimet e fundit, por që do të jetë dëm i madh nëse mungon njohja reciproke.

“Marrë për bazë zhvillimet e fundit, gjasat janë që më 18 mars të nënshkruhet marrëveshja finale mes dy vendeve, por do të ishte dëm i madh nëse mungon njohja reciproke dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve paraprake. Një marrëveshje e tillë mund të mos jetë stabile dhe do të përbënte kthim mbrapa për vendin”, vlerëson Krasniqi për Gazeta Blic.

Ajo shton se deklaratat janë më tepër lojë fjalësh të Kryeministrit Kurti dhe se ai do ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë, duke shkelur mbi çdo parim, përfshirë dhe Asociacionin.

“Në fund ai është i cili do të nënshkruajë marrëveshjen me palën serbe duke shkelur mbi çdo parim të tij që e kishte pasur sa ishte në opozitë, përfshirë këtu edhe formimin e Asociacionit”, deklaron deputetja Rrezarta Krasniqi.

Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, thotë për Gazeta Blic se kjo parti i ka dhënë përkrahje planit evropian, pavarësisht kritikave dhe pakënaqësive me menaxhimin e dialogut.

“Pavarësisht kritikave dhe pakënaqësive se si është menaxhuar dialogu por edhe për dështimet në qeverisje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka dhënë mbështetje arritjes së kësaj marrëveshje e njohur si propozim franko-gjerman, si i një arritur e madhe e aleatëve tanë e në veçanti ShBA-ve. Krejt kjo pasi që jemi të bindur se kjo marrëveshje i mundëson Kosovës hapjen e perspektivës integruese euro-atlantike”, thekson ai.

Sipas Xhemajlit, tani është momenti për arritjen e kësaj marrëveshje dhe po ashtu t’i kushtohet rëndësi pakos financiare, përpos zotimeve politike dhe të sigurisë.

“Ne besojmë që tani është momenti për arritjen e kësaj marrëveshje, ku përveç zotimeve politike dhe të sigurisë që Kosova përfiton në këtë marrëveshje, kemi kërkuar që rëndësi të veçantë t’i kushtohet trajtimit të pakos financiare”, deklaron Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i AAK-së./Gazeta Blic/

Kurti skeptik/ Analistët tregojnë pse Kosova e Serbia mund të mos nënshkruajnë marrëveshje me 18 mars në Ohër