Lajme

Krasniqi takon Hovenier: I tregova që për PDK-në, plani evropian është mundësi e humbur për marrëveshje finale dhe njohje të ndërsjellë

03/13/2023 19:12
nga:G B

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ambasadorit i ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e PDK-së për dialogun dhe rezervat për propozimin evropian të pranuar nga kryeministri Kurti.

Krasniqi ka shtuar se kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Postimi i tij i plotë:

Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier. Bashkë kishim një diskutim miqësor dhe konstruktiv në raport me zhvillimet e fundit politike në vend.

Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti. Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Përkundër mbështetjes që PDK i ka dhënë Kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneqe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ambasadorin Hovenier e falënderova për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe e sigurova që PDK gjithmonë do të veprojë në përputhje ne interesin shtetëror dhe qytetar të Kosovës.