Lajme

KQZ-ja “nuk guxon” ta trajtojë kuvendin e paligjshëm të Guxo / Anëtarët kërkojnë raport, i emëruari i presidentes Osmani, Radoniqi nuk pajtohet, Zyra e Partive vendos pa lejen e KQZ-së

2 vite më parë
nga:G C

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të mos e trajtojë çështjen e kuvendit të pavlefshëm zgjedhor të partisë Guxo, e cila në kundërshtim me rregulloret, me 7 Shtator të vitit 2022 kishte zgjedhur dy bashkë-kryetarë, Faton Pecin dhe Donika Gërvallën.

Një rekomandim i Zyrës për Regjistrim të Partive, i datës 17 Tetor 2022, që ishte përgatitur të prezantohej në mbledhjen e KQZ-së, ka mbetur në gjysmë të rrugës dhe nuk po paraqitet në mbledhjen e KQZ-së, para anëtarëve të këtij institucioni. Në fakt, pas këtij rekomandimi që ishte publikuar në medie, kjo Zyre ka ndjekur një rrugë krejtësisht tjetër nga rekomandimi i përgatitur, duke shpikur emërtime që nuk njihen as në rregulloret e KQZ-së, si Kryetar i Partisë dhe Kryetar Politik.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili ishte emëruar nga presidentja Vjosa Osmani, në të njejten ditë pas shkarkimit të Valdete Dakës, nuk e ka parë të udhës deri tani që KQZ-ja ta trajtojë çështjen e partisë Guxo, ish–subjekti politik i të parës së shtetit.

Rekomandimi ishte që të mos njihet kuvendi zgjedhor i partisë Guxo, duke rekomanduar një të ri, sepse Zyra për Regjistrim të Partive kishte vlerësuar që

“Ndryshimi i Statutit të Partisë Politike për të lejuar partinë të ketë më shumë se Një Kryetar, është shkelje e Rregullës 01/2013 për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike, me saktësisht e çdo neni ku ërmendet Kryetari si një person i vetëm. Pra, kjo Rregullore në asnjë nen nuk e thekson mundësinë që një Parti Politike e regjistruar mund të ketë më shumë se një kryetar”.

Edhe pse ky rekomandim ishte përgatitur në kohë nga Zyra për Regjistrimin e Partive, i njejti nuk po paraqitet në mbledhjen e KQZ-së për vendimmarrje. Anëtarët e KQZ-së, prej disa mbledhjesh janë duke kërkuar një raport informues lidhur me këtë temë, por kjo nuk po ndodh.

Gazeta Blic mëson se në mledhjen e mbajtur të KQZ-së me 1 mars, disa nga anëtarët kanë shtrurar çështjen se për çfarë arsyesh nuk po paraqitet në mbledhjen e KQZ-së rekomandimi i përgatitur pesë muaj më parë, por kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, nuk është pajtuar.

Ky rekomandim i muajit tetor 2022 që po mbahet në sirtarët e KQZ-së, përmban konstatimin e Zyrës për Regjistrim të Partive se ndryshimet e Statutit të Partisë Politike GUXO që kanë dalur nga Kuvendi i Parë Themelues i datës 7 shtator 2022 janë të pavlefshme dhe rrjedhimisht votimi i dy Kryetarëve konsiderohet i pavlefshëm.

Por, vetëm disa ditë më vonë, në nëntor 2022, kjo Zyre ka vepruar ndryshe nga ky rekomandim.

Gazeta Blic ka siguruar këtë shkresë të Ushtruesës së detyrës së drejtorit të Zyrës së Partive Politike, që tregon se zyrtarët e zyrës kanë zhvilluar takim konsultativ me përfaqësuesit e partisë politike Guxo në lidhje me rezultatet të cilat kanë dalë nga Kuvendi i parë zgjedhor i partisë. Sipas këtyre burimeve, ky takim konsultativ është mbajtur pa u trajtuar çështja në mbledhjen e KQZ-së.

Në shkresën që ka siguruar Blici, thuhet se ndryshimet e kërkuara nga partia i janë komunikuar me shkrim. Kjo Zyre ka kërkuar që të plotësohet Statuti i partisë, neni 17, duke ndarë pozitat Kryetar i Partisë dhe Kryetar Politik. Ndryshe nga rekomandimi i parë që e vlerësonte të pavlefshëm zgjedhjen e dy kryetarëve, në shkresën e muajit nëntor, e njejta Zyre njeh dy kryetarët, duke shpikur emërtime që nuk njihen as në rregulloret e KQZ-së, por kryetarit të partisë i ka dhënë vlerë më të madhe se sa kryetarit politik.

“Kryetari i partisë duhet të jetë personi i vetëm në parti i cili ka të gjitha autorizimet për të përfaqësuar partinë në raport me KQZ. Zyra do të pranojë materialet e dorëzuara nga partia të cilat janë të nënshkruara nga Kryetari i Partisë. Ndryshimet statutore, sipas statutit të partsë bëhen me 2/3 e votave të Kuvendit. Kjo nënkupton që partia sa më parë duhet të organizojë një Kuvend punues me ç’rast duhet të bëhet plotësimi i nenit 17 të Statutit në përputhje me vërejtjet e mësipërme.” – thuhet në këtë shkresë.

Edhe pse janë bërë 5 muaj nga ky takim konsultativ, kjo parti nuk ka mbajtur kuvendin zgjedhor për të ndryshuar statutin e saj.