Lajme

De Riu përmend një model evropian për Asociacionin në Kosovë

03/07/2023 21:55
nga:Genita C

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Antonello De Riu, ka deklaruar sonte se në planin evropian përmenden disa modele evropiane për sa i përket llojit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, ka shumë shembuj të shkëlqyer brenda kontinentit evropian për këtë çështje.

Ai tha se duke filluar nga Italia, ka realitete që kanë gjetur pëlqimin e plotë të popullsisë minoritare të zonave të caktuara, si shembulli italian Alto Adige apo (Tiroli i Jugut), për shumë vite e për dekada me radhë.

“Ka qenë një problem zero në marrëdhëniet ndërmjet Italisë dhe Austrisë dhe si u arrit kjo? – përmes një sistemi që ruan gjuhën, kulturën, por mbi të gjitha aspektin ekonomik, ku 90% e të ardhurave tatimore të Tirolit të Jugut mbeten në Tirolin e Jugut dhe ky ka qenë një element themelor në arritjen e një konsensusi për popullsinë vendase gjermanofolëse”, shtoi ai në Klan Kosova,

Ai shtoi se ky model sot për sot, pranon plotësisht sovranitetin territorial italian, duke ruajtur gjithashtu traditat e tyre kulturore, “që janë sigurisht më të afërta me botën gjermane”.