Lajme

Shqetësimi i SHBA-ve për kundërshtimin e planit evropian nga opozita, Lladrovci: PDK e ka burimin te vlerat amerikane, reagimi për shkak të mos njohjes

03/07/2023 14:44
nga:G B

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara për refuzimin e planit evropian nga ana e partive opozitare, LDK dhe PDK.

Këto dy parti, për dallim nga AAK e cila e ka pranuar planin, e kanë kritikuar atë, teksa kanë thënë se me pranimin e tij, Kosova e ka humbur njohjen reciproke në qendër dhe e ka vendosur në qendër Asociacionin.

Andaj, SHBA-të janë shprehur të shqetësuara me këtë kundërshtim, teksa kanë thënë se “ky kundërshtim nuk është në përputhje me mbështetjen e SHBA-ve për planin”.

Lidhur me këtë, kryetari i Drenasit i cili vjen nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci, thotë për Gazeta Blic se Ambasada nuk duhet të ketë shqetësime, pasi PDK nuk e ka ushqyer kursin antiamerikan.

“Nuk besoj se duhet të ketë shqetësime në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Për aq sa i njoh rrethanat nga fillimi i ’80 e deri sot, atdhetarët kurrë nuk e kanë pasur, as nuk e kanë ushqyer kursin antiamerikan, as PDK-ja, si parti institucionaliste”, thotë ai.

Sipas tij, PDK burimin e ka te vlerat euro-atlantike dhe SHBA-të dhe se reagimi ndaj planit evropian është për shkak se njohja e ndërsjellë nuk është e definuar në këtë marrëveshje.

“PDK veprimtarinë e vet, nga themelimi, deri sot, burimin e ka te vlerat euro-atlantike dhe Amerikën si këshilluese dhe garantuese të marrëveshjeve të Kosovës. Mendoj se reagimi ndaj planit franko-gjerman, vije si reagim pse njohja e ndërsjellë nuk është definuar në marrëveshje”, thekson Lladrovci për Gazeta Blic.

Ai shton se marrëveshja në mes të dy vendeve ka ulur tensionet artificiale, pa adresuar çështjen thelbësore.

“Marrëveshja vetëm ka ulur tensionet artificiale të nxitura për çështje dytësore nga dy liderët aktual në Kosovë dhe Serbi, pa adresuar çështjen thelbësore, njohjen e ndërsjellë dhe përfshirjen e çështjeve kontestuese në Marrëveshjen përfundimtare”, deklaron Ramiz Lladrovci./Gazeta Blic/

 

Ambasada amerikane: Na shqetëson kundërshtimi i opozitës ndaj propozimit evropian