Një zyrtar policor ka vdekur dhe 79 të tjerë janë marrë peng gjatë protestave në provincën jugore Caqueta të Kolumbisë.
Dhuna shpërtheu të enjten pasi banorët bllokuan kompleksin e kompanisë së kërkimit të naftës Emerald Energy.
Ata kërkonin ndihmën e saj për riparimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja në zonë, shkruan BBC.
Një civil u vra gjithashtu dhe nëntë punëtorë të fushës së naftës u kapën së bashku me zyrtarët policorë. Video tregonte pengjet të ulur në një dhomë të mbushur me njerëz në rreshta karrigesh dhe në dysheme.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro tha se shpresonte se ata do të liroheshin “në mënyrë të njëanshme” përpara çdo përshkallëzimi të dhunës dhe kërkoi ndihmë mjekësore nga Kryqi i Kuq.
Shumë nga protestuesit janë banorë ruralë dhe indigjenë që duan Emerald Energy të ndërtojë infrastrukturë të re rrugore rreth zonës San Vicente del Caguan.
Kompania e naftës nuk u përgjigj kur u kontaktua nga agjencia e lajmeve Reuters për koment.
Policia kolumbiane nderoi në Twitter policin e vrarë në përleshje, të cilin e quajti Ricardo Monroy.
Zyrtarët e qeverisë lokale thanë se oficeri vdiq nga një sulm me hanxhar, ndërsa civili u vra nga të shtënat me armë zjarri.


