Tri javë më parë Qeveria lansoi platformën Superpuna, për punësimin e të rinjve, ku për 6 muaj qeveria do t’i paguajë nga 264 euro.
E, me këtë ministria e financave thotë se për 3 javë janë punësuar mbi 1 mijë të rinj.
Se sa janë reale këto shifra dhe sa ekzistojnë mundësitë që pas periudhës 6 mujore kompanitë të mund t’i largojnë punëtorët pasi më nuk i paguan qeveria, për Gazeta Blic ka folur eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa.
Ai thotë se ka logjikë që të jenë të sakta shifrat, por që duhet të dilet me statistika, me emra e mbiemra të të punësuarve dhe vendet se ku janë punësuar.
“Shifra që për 3 javë te ketë mbi një mijë të punësuar nga Superpuna, duke marrë parasysh se ky projekt i punësimit ka të bëjë me kategoritë e fuqisë punëtore të moshave të reja, prej 18, 25 dhe deri 30 vjeçare, ku këto kategori janë me përgatitje shkollore superiore dhe që kanë njohuri të gjuhëve të huaja dhe aftësi dhe njohuri kompjuterike me siguri se duhet të jenë afër logjikës se janë afër realitetit objektiv, por në ketë rast duhet të dilet me të dhënat statistikore edhe publikisht me emra dhe mbiemra të të punësuarve dhe me numra personal dhe në cilat subjekte ekonomike janë të punësuar, ku do të ndikohej që të jetë dhe të rezultojë më suksesshëm dhe më kredibil si projekt”, vlerëson ai.
Sipas njohësit të ekonomisë, mund të ketë raste që pas 6 muajsh atyre punëtorëve që paguhen përmes Superpunës t’u zbriten pagat nga kompanitë por jo edhe të largohen nga puna, pasi në Kosovë ka mugesë për fuqisë punëtore.
“Ndërsa, se a ekziston rreziku që bizneset të shfrytëzojnë faktin që për 6 muaj punëtorët paguhen nga qeveria dhe më pas të paguhen më pak, unë konstatoj se mund të ketë raste të caktuara por në përgjithësi mendoj që nuk do të largohen edhe më tutje nga puna sepse në Kosovë ka mungesë të fuqisë punëtore dhe sipas një mesatare diku rreth 2 punëtorë ka mungesë të fuqisë punëtore në çdo biznes me subjektivitet juridik dhe ka rrezik që të ketë edhe më shumë mungesë të fuqisë punëtore”, deklaron Jakup Bellaqa./Gazeta Blic/


