Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe zyrtari i LDK-së, Anton Berisha ka bërë një analizë dhe krahasim mes Albin Kurtit opozitar dhe atij në pushtet.
Sipas tij, “politika e Albin Kurtit në opozitë ishte mohimi i çdo të arriture dhe pengimi i proceseve duke u thirrur në shqiptarizëm, në qëndrueshmërinë dhe nderin kombëtar që me Serbinë as që duhet të dialogohet përderisa ajo nuk kërkon falje dhe nuk përmbush kushtet që i rendiste në letër e ligjërime, por duhej realizuar projekti i madh i bashkimit kombëtar”.
Ndërkohë, ai tashmë shprehet se “politika e Albin Kurtit kryeministër është mosnjohja nga asnjë shtet, degradim deri në acarim të raporteve me SHBA dhe BE, asnjë kusht i plotësuar nga Serbia, forcim i Serbisë brenda territorit tonë verior, proces dialogues në të cilin Serbia për herë të parë del si palë bashkëpunuese dhe në krahë të SHBA përderisa qeveritarët e Kosovës nuk iu mundësohen vizitat në SHBA”.
“Krejt në fund, ZAJEDNICA kalon e NJOHJA nuk kalon”, shkroi ish-ambasadori kosovar në Slloveni, me anë të një postimi në Facebook, transmeton Paparaci.
Nesër, Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel për të diskutuar rreth planit të BE-së.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se një plan i tillë e ka brenda njohjen de fakto dhe është bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme.


