Sporti

Në Wembley luhet Carabao Cup, Manchester United takohet me Newcastle

02/26/2023 08:35
nga:L J

Në mitikun Wembley dorëzohet një trofe. Këtë të dielë, në orën 17.30 me orën shqiptare, Kupa e Ligës së Anglisë, e quajtur ndryshe Carabao Cup, kërkon kampionin e saj të 63-të.

Manchester United kërkon suksesin e 6-të të historisë në këtë kompeticion, përballë Newcastle që rikthehet në këtë finale pas plot 47 vjetësh, Magpies nuk e kanë fituar kurrë trofeun.

Për bookmakersat angleze Manchester United – Newcastle paralajmërohet si një finale ku nuk do të shënohet një numër i madh golash. Përballen dy skuadra solide, veçanërisht bardhezinjtë që në Premier League mund të krenohen me mbrojtjen më të mirë, me vetëm 15 gola të pësuar. Në kampionat sfida mes tyre , e luajtur në tetorin e kaluar përfundoi me rrjeta të paprekura. Për Rashford sulmuesin e momentit që ka shënuar 16 gola në 18 ndeshjet e fundit, dhe për shokët e tij paralajmërohet një pasdite goxha e komplikuar.

Gjithsesi Manchester United padyshim që parashikohet si skuadra favorite, djajtë e kuq arrijnë për të 10 herë në finalen e Kupës së Ligës. 5 sukseset, herën e fundit me Mourinhon në stol. Djajtë e kuq këtë sezon në raundet e para kanë eliminuar Aston Villan, Burnley dhe Charlton para se të kalonin në gjysmëfinale Nottingham Forres. Plot 47 vjet pritje për të arritur këtu për Newcastle, që ka luajtur finalen e vetme të Kupës së Ligës në 1976 duke e humbur përballë Manchester City-n./ss